Kontrabandë mallrash në Korçë, në pranga 49-vjeçari, nën hetim doganieri i Kapshticës
- Korca Boom
- 6 hours ago
- 1 min read
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kontrabandës së mallrave.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në lagjen nr. 6, Korçë, një automjet me drejtues shtetasin V. T. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, janë gjetur veshje të ndryshme pa faturat përkatëse, të cilat dyshohet se janë futur në territorin e Shqipërisë nga Greqia, pa kryer procedurat e zhdoganimit.
Në vijim të veprimeve procedurale:
U arrestua në flagrancë shtetasi V. T., 49 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale: “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
U referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj shtetasit R. M., 40 vjeç, banues në Pogradec, doganier në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, pasi dyshohet se nuk ka kryer detyrën për kontrollin e automjetit.
Mallrat e dyshuara kontrabandë dhe automjeti me të cilin transportoheshin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.
"KORCA BOOM"



















