Kontrollet intensive në Korçë/ 2 drejtues përfundojnë në pranga për drejtim në gjendje të dehur
Policia Rrugore e Korçës ka vijuar monitorimin intensiv në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur pajisje inteligjente dhe mjete bashkëkohore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë një jave monitorimi, uniformat blu kanë arrestuar 2 shtetas, të cilët janë kapur duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur. Ndërkohë, 3 persona të tjerë janë proceduar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në total, gjatë kësaj periudhe janë vendosur 814 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Sipas Policisë, 198 masa janë vendosur për parakalime të gabuara, 205 për ndalim të gabuar të automjetit, 50 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe 5 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu, janë vendosur 37 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 57 për mosrespektimin e këmbësorëve në vijat e bardha, 3 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 7 për xhama të errësuar. Për shkelje të tjera të Kodit Rrugor janë vendosur 252 masa administrative.
Policia Rrugore bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut të Korçës, me fokus rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Në apelimin e saj, Policia u kërkon drejtuesve të mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.
“KORÇA BOOM”
















