Korça fiton një tjetër aks të rëndësishëm rrugor, Rama: Punimet kanë nisur
- 2 hours ago
- 1 min read
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ka nisur asfaltimi i rrugës Potom–Backë–Qafa e Martës, një investim që pritet të afrojë dy qarqet e Korçës dhe Beratit, duke krijuar një lidhje të re mes Korçës dhe Skraparit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e cilësoi projektin si një investim strategjik dhe të shumëpritur, që sipas tij do të sjellë përfitime të shumta për banorët dhe ekonominë e zonës.
“Ka nisur asfaltimi i rrugës Potom–Backë–Qafa e Martës, një investim strategjik që lidh Skraparin me Korçën, duke afruar dy qarqe përmes një infrastrukture moderne dhe të shumëpritur. Për banorët e zonës kjo nuk është thjesht një rrugë, është fillimi i një etape të re zhvillimi,” shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, investimi do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, do të ulë kostot e transportit, do të forcojë ekonominë lokale dhe do të krijojë më shumë mundësi për fermerët dhe sipërmarrësit. Ai theksoi gjithashtu se rruga do të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit, duke promovuar një nga zonat me potencialin më të madh natyror në vend.
“Çdo kilometër i kësaj rruge është një hap më shumë drejt lidhjes së komuniteteve, zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të cilësisë së jetës për banorët,” përfundon Rama në mesazhin e tij.
“KORÇA BOOM”
















