top of page

Korçë/ Pas vrasjes së gjyqtarit në Apelin e Tiranës, deputetët monitorojnë Gjykatën e Korçës!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 18 hours ago
  • 1 min read

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku u vra një gjyqtar, deputetët kanë nisur inspektime në gjykatat e vendit për të verifikuar masat e sigurisë.


Në këtë kuadër, një grup deputetësh zhvilluan një vizitë në ambientet e Gjykatës së Korçës.

Deputeti i Partisë Socialiste, Bledi Como, bëri të ditur se inspektimi vjen pas një kërkese të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me qëllim rritjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë dhe parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.


“Pas ngjarjes së ndodhur në Gjykatën e Apelit të Tiranës, kemi zhvilluar disa takime me institucionet përkatëse dhe kemi dalë në terren për të parë konkretisht kushtet e sigurisë në gjykata. Më pas, çështja do të trajtohet në komision parlamentar me institucionet e pavarura të sistemit të drejtësisë, përfshirë KLGJ dhe KLP,” u shpreh Como.


Ai theksoi se fokusi i deputetëve është përmirësimi i sigurisë fizike, infrastrukturore dhe teknologjike në gjykata, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për monitorim të vendimmarrjes gjyqësore.


Sipas Comos, Gjykata e Korçës është një nga gjykatat më të mira në Republikën e Shqipërisë përsa i përket kushteve dhe organizimit të punës, duke u konsideruar një model për institucionet e tjera të drejtësisë që ende nuk i përmbushin këto standarde.


Në përfundim të inspektimeve do të hartohet një raport përfundimtar, i cili pritet t’u paraqitet institucioneve përgjegjëse dhe Kuvendit, me synim zgjerimin e bashkëpunimit dhe gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për rritjen e sigurisë në të gjitha ambientet e gjyqësorit dhe prokurorisë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page