top of page

Korçë, u mori nga 700 euro secilit, transportonte 6 të huaj drejt Tiranës, e pëson i riu

3 hours ago
1 min read

Vijojnë operacionet për kapjen e personave të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve.


Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Devoll.


Operacioni është zhvilluar nga Seksioni i trafiqeve dhe Seksioni i krimit ekonomik dhe financiar në DVP Korçë, në kuadër të punës operativo-hetimore për goditjen e rasteve të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.


Burime nga policia bëjnë me dije se në pranga ka rënë Klajdi Muça, nga qyteti i Durrësit, i cili drejtonte një automjet tip Benz dhe gjatë kontrollit të uniformave blu, brenda mjetit janë gjetur 6 emigrantë të paligjshëm. Këta të fundit ishin shtetas sudanezë, të cilët dyshohet se po transportoheshin drejt Tiranës, me qëllim kalimin jashtë shtetit.


Sipas informacioneve, mësohet se për këtë aktivitet, 23-vjeçari dyshohet se do të përfitonte 600 deri në 700 euro për person.


Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti, një sasi lekësh dhe disa aparate celularë. Ndërkohë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page