Zhduket 32-vjeçari në Liqenin e Ohrit/ Policia dhe zhytësit vijojnë kërkimet
Një 32-vjeçar nga Shkupi është zhdukur në ujërat e Liqenit të Ohrit, ndërsa policia, ekipet e zhytjes dhe shpëtimtarët malorë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij.
Sipas njoftimit të policisë, babai i të riut, i identifikuar si B.S., kishte raportuar zhdukjen e djalit më 14 shtator, rreth orës 18:10, në Stacionin Policor të Ohrit.
32-vjeçari po qëndronte së bashku me babain në një auto-kamp në Ohër, por ishte larguar nga kampi. Më vonë, babai kishte gjetur disa prej rrobave të tij, telefonin celular dhe një varkë gome në plazh.
Pas marrjes së njoftimit, ekipet e policisë së liqenit dhe Stacionit Policor të Ohrit, së bashku me pjesëtarët e shërbimit alpinist të shpëtimit dhe një ekip nga klubi i zhytjes “Ohri”, kanë nisur kërkimet në ujërat e liqenit dhe në tokë.
Operacioni vijon me qëllim gjetjen e 32-vjeçarit dhe sqarimin e rrethanave të zhdukjes.
“KORÇA BOOM”
















