top of page

KQZ shpenzon rreth 1 milion euro për reklama mediatike gjatë fushatës zgjedhore

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 13 hours ago
  • 2 min read

Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpenzuar rreth 1 milion euro për shërbime mediatike, reklama dhe njoftime në kuadër të procesit të edukimit zgjedhor.


Sipas të dhënave zyrtare të pagesave të Thesarit, KQZ ka kryer gjithsej 29 pagesa me një vlerë totale prej 99.6 milionë lekësh në periudhën 16 prill – 14 korrik 2025. Ky buxhet është gati dy herë më i lartë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur për të njëjtin zë u shpenzuan 51 milionë lekë.


Rreth 15% e këtij fondi, ose 14.8 milionë lekë, i janë dhënë kompanisë së dizajnit dhe reklamave “PIK”. Pjesa tjetër, rreth 84.7 milionë lekë, është shpërndarë mes dy grupeve të mëdha mediatike dhe 19 mediave të tjera kombëtare informative.

Grupi mediatik Klan dhe mediat e lidhura me të kanë përfituar 14.4 milionë lekë, që përbëjnë rreth 17% të fondeve të ndara për media. Top Media, përfshirë Top Channel, Top Albania Radio dhe Top News, ka marrë 13.7 milionë lekë ose 16% të totalit. Së bashku, këto dy grupe kanë përfituar mbi 33% të buxhetit të KQZ-së për informim zgjedhor.

Euro Balkans News, kompania që zotëron Euronews Albania, Media Vizion (Vizion Plus) dhe MTSC (Report TV) kanë marrë secila nga 9 milionë lekë, ndërsa Focus Media News, që zotëron News 24, ka përfituar 8.5 milionë lekë.


ABC News, A2 CNN përmes G2 Media dhe ORA (Ora News dhe RTV Ora) kanë marrë secila nga 4.5 milionë lekë. Syri TV, përmes kompanisë “3 DS & AF Entertainment”, ka përfituar 3.7 milionë lekë, ndërsa MCN, përmes kompanisë Johaniteri, ka marrë 1.5 milionë lekë.


Në listën e përfituesve përfshihen edhe media më të vogla si City News Albania me 800 mijë lekë, si dhe Panorama TV, Fax Media News, Club Muzikor dhe të tjera, të cilat kanë marrë nga 500 mijë lekë. Pagesa më e vogël është regjistruar për Ismet Drishtin, si person fizik.

Megjithëse shpenzimet e KQZ-së për fushatën edukuese janë rritur ndjeshëm, numri i mediave përfituese ka rënë ndjeshëm. Nga 43 subjekte në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, këtë herë vetëm 21 përfitues unikë kanë marrë fonde.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page