Krishtlindja, 25 dhjetori që bashkon botën: Historia, kuptimi dhe mesazhi i paqes
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Krishtlindja, e njohur edhe si Kërshëndella, është një nga festat më të rëndësishme dhe më të dashura në botën e krishterë, duke bashkuar miliona besimtarë rreth një mesazhi universal paqeje, dashurie dhe shprese. Ajo festohet çdo vit më 25 dhjetor nga shumica e të krishterëve, ndërsa në disa kisha të Lindjes kremtimi zhvillohet më 7 janar, për shkak të përdorimit të kalendarit Julian. Pas Pashkëve, Krishtlindja konsiderohet festa më e madhe dhe më domethënëse për besimtarët e krishterë.
Rëndësia e kësaj feste u forcua gradualisht në histori, veçanërisht pas vitit 800, kur Karli i Madh u kurorëzua perandor në ditën e Krishtlindjes, duke i dhënë kësaj date edhe një peshë të veçantë historike dhe politike në Evropën mesjetare.
Sot, Krishtlindja shoqërohet me tradita të njohura në mbarë botën, si vendosja e skenës së lindjes së Krishtit, zbukurimi i pemës së Krishtlindjes, shkëmbimi i dhuratave dhe kartolinave, si dhe mbledhja e familjes rreth tryezës festive. Në shumë vende, kjo festë lidhet edhe me figurën e Shën Kollit apo Plakut të Vitit të Ri, simbol i bujarisë dhe gëzimit, veçanërisht për fëmijët.
Krishtlindja përcjell mesazhe të forta paqeje, faljeje, solidariteti dhe dashurie mes njerëzve.
Për besimtarët, ajo ka një rëndësi të veçantë shpirtërore dhe familjare, pasi lindja e Jezus Krishtit ndodhi pranë familjes së tij, duke e vendosur familjen në qendër të simbolikës së kësaj feste.
Kjo festë përkujton lindjen e Jezus Krishtit, i cili sipas besimit të krishterë është Biri i Perëndisë dhe i mishëruar për shpëtimin e njerëzimit. Sipas Ungjijve të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Virgjëresha Mari në Betlehem, ku Maria dhe Jozefi ndodheshin për shkak të regjistrimit të popullsisë të urdhëruar nga perandori romak August. Lindja e Krishtit, sipas besimit, ishte parathënë nga profeci të shumta që shpallnin ardhjen e Mesisë nga shtëpia e Davidit.
Edhe pse data e saktë e lindjes së Jezusit nuk përmendet në Dhiatën e Re, 25 dhjetori është pranuar tradicionalisht si dita e Krishtlindjes nga shumica e kishave të krishtera. Me kalimin e kohës, kjo datë është kthyer në një simbol universal të shpresës dhe paqes, duke u festuar edhe si një ngjarje kulturore dhe shoqërore në shumë vende të botës.
Në Kishën Katolike dhe në shumicën e kishave ortodokse që përdorin kalendarin gregorian, përfshirë Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Krishtlindja festohet më 25 dhjetor. Ndërkohë, disa kisha ortodokse që ndjekin kalendarin Julian e kremtojnë festën më 7 janar.
Pavarësisht këtyre dallimeve kalendarike, mesazhi i Krishtlindjes mbetet i njëjtë për të gjithë: paqe mes njerëzve, dashuri dhe besim për një botë më të mirë./ NOA
“KORÇA BOOM”



















