Kryebashkiaku i Stambollit përfshihet në një skandal të ri, arrestohet sportistja që mediat turke e lidhin me İmamoğlu
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 2 min read
Mediat turke kanë shpërthyer me raportime për një skandal që përfshin Kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem İmamoğlu, në një moment kritik kur ai ndodhet edhe nën hetim gjyqësor për çështjen e diplomës së tij universitare, të cilën autoritetet e pretendojnë si të falsifikuar.
Sipas raportimeve nga media proqeveritare dhe opozitare në Turqi, një influencuese e arrestuar nga policia, Rabia Karaca, ka dëshmuar se İmamoğlu kishte një lidhje jashtëmartesore me volejbollisten e njohur Derya Çayırgan.
Arrestim në operacion antidrogë
Pak orë para fillimit të seancës gjyqësore ndaj İmamoğlu, Çayırgan u arrestua gjatë një operacioni të Drejtorisë së Luftës kundër Drogës në Stamboll, ku u ndaluan gjithsej 18–19 persona, të dyshuar për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Gazeta proqeveritare Sabah dhe Takvim raportojnë se Çayırgan ishte mes personave të ndaluar, ndërsa hetimi po zhvillohet paralelisht me një procedim tjetër për korrupsion brenda Bashkisë së Stambollit (İBB).
Sipas dëshmisë së Rabia Karaca, e cila ndodhet në paraburgim, Derya Çayırgan ishte “e dashura e Ekrem İmamoğlu”, ndërsa kryebashkiaku, sipas saj, “kujdesej për të dhe sigurohej që ajo të merrte pagesa dhe mbështetje financiare”.
Këto deklarata janë futur në dosjen hetimore, por nuk janë konfirmuar nga gjykata apo nga ndonjë institucion zyrtar turk.
Mediat turke kanë rikthyer gjithashtu një intervistë të Çayırgan nga rreth dy vite më parë, kur ajo ishte pyetur se cili ishte personi më i famshëm që kishte të regjistruar në telefon. Ajo ishte përgjigjur: “Ekrem İmamoğlu”pa dhënë shpjegime të mëtejshme.
Deri në këtë moment, Ekrem İmamoğlu dhe zyra e Kryebashkiakut të Stambollit nuk kanë dhënë asnjë reagim zyrtar për këto pretendime.
Analistët politikë në Turqi theksojnë se këto zhvillime po ndodhin në një klimë të fortë përplasjeje politike, pasi İmamoğlu konsiderohet rivali kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe përballet njëkohësisht me hetime për diplomën, korrupsion të pretenduar dhe tani edhe me akuza për jetën e tij private./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”



















