top of page

Kryepiskopi Joan: Më e lehtë është të hyjë gamilja në vrimë të gjilpërës se i pasuri në parajsë! Respektoni prindërit!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Aug 31
  • 3 min read

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Joani ka mbajtur predikimin në të Dielën XII të Mattheut.


Në mesazhin e tij, Kryepiskopi Joan thekson një gjë shumë të rëndësishme dhe thelbësore respektin ndaj prindërve.


Fortlumturia e Tij, Joani tregon se një nga porositë e Zotit është që të respektosh nënën dhe babain dhe më pas gjërat e tjera.


Kryepiskopi e konsideron një tragjedi të madhe kohën në të cilën jetojmë pas njerëzit po i braktisin prindërit.


“Nëse do të kemi bekimin e Zotit ne nuk mund t’i braktisim ata”, thekson Fortlumturia e Tij.

“Jetojmë në një kohë kur njerëzit i kanë braktisur prindërit për tragjedinë tonë shumë të madhe. Dëgjojmë shpesh herë që pleq të vetmuar i gjenin komshinjtë vetëm pasi ndërronin jetë.


Ndonëse kishin dy-tre fëmijë që ndoshta për arsye të ndryshme ishin larguar, por respektimi ndaj prindërve është shumë i rëndësishëm sepse nëse do të kemi bekimin e Zotit ne nuk mund t’i braktisim ata.


Është njësoj sikur prindi të braktisë fëmijët e tij kur janë të vegjël dhe të iki dhe të thotë unë do të shoh jetën time.

Ne kemi një përgjegjësi. Qeniet njerëzore janë qenie komunitare, kemi përgjegjësi për njëri-tjetrin.


Jeta jonë prek dhe njerëzit që janë rrotull nesh dhe prandaj dhe shenjtorët e mëdhenj thonin vazhdimisht që shpëtimi kalon nga i afërmi ynë, mënyra se si ne i trajtojmë të afërmit, prandaj dhe një nga porositë e Zotit është që respekto nënën dhe babain dhe gjërat e tjera”, u shpreh Fortlumturia e Tij, Joani.


Gjatë fjalës së tij, Kryepiskopi Joan renditi disa nga urdhërimet e Zotit që janë mos vidh, mos vrit, mos shkel kurorën, mos jep dëshmi të rreme, respekto nënën dhe babain dhe duaje të afërmin si veten tënde.


Po ashtu përcolli edhe fjalën e Ungjillit të Shën Markut ku në fund përcillet një mesazh që është shumë e vështirë të hyjë një i pasur në parajsë.


“Është më lehtë të hyjë gamilja në vrimë të gjilpërës se sa i pasuri në parajsë”, u shpreh Kryepiskopi Joan.


“Shën Nikolai ish-Mitropoliti i Ohrit thotë diçka shumë të bukur: Të gjithë ne jemi të sëmurë. Shenjtorët janë ata që janë më pak të sëmurë.


Mund të jemi më pak të sëmurë se njerëzit e tjerë por në krahasim me Perëndinë jemi të gjithë të sëmurë prandaj kemi nevojë për praninë e Perëndisë dhe për të ndjekur shembullin që na ka dhënë ai përmes jetës së tij dhe mësimit.


Zoti thotë ndiq urdhërimet e djali u përgjigj e i tha cilat urdhërime. Tha mos vidh, mos vrit, mos shkel kurorën, mos jep dëshmi të rreme, respekto nënën dhe babain dhe duaje të afërmin si veten tënde.


Dhe ai u përgjigj me çiltërsi duke i thënë të gjitha këto i kam ruajtur prej rinisë sime.

Në ungjillin e Shën Markut thuhen dhe këto fjalë : “Zoti e pa atë dhe e deshi dhe i tha një gjë të mungon, shko e shit gjithë pasurinë, shpërndaua të varfërve dhe eja më ndiq mua”.


Ky u largua i hidhëruar se kishte shumë pasuri e Zoti thotë fjalët e famshme që njihen pothuajse nga të gjithë që është shumë e vështirë të hyjë një i pasur në parajsë.


Është më lehtë të hyjë gamilja në vrimë të gjilpërës se sa i pasuri në parajsë”, tha Kryepiskopi Joani./CNA

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page