top of page

Kujdes në Korçë! Këto rrugë do të bllokohen të dielën

1 day ago
1 min read

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka njoftuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të edicionit të parë të maratonës ndërkombëtare “Little Paris”, e cila do të zhvillohet të dielën, më 20 shtator 2026.


Aktiviteti sportiv, i organizuar nga shoqata “Maraton Albania” në bashkëpunim me Bashkinë Korçë, do të zhvillohet gjatë paradites dhe do të përfshijë tre disiplina garuese.


Për shkak të zhvillimit të maratonës, nga ora 08:00 deri në orën 12:00 do të kufizohet qarkullimi i mjeteve në disa akse rrugore.


Kufizimet do të përfshijnë bulevardin “Republika”, bulevardin “Rilindasit”, rrugët “Erdoej”, “Dishnicë-Kryqëzimi i Çifligut”, “Muzakaj”, “Marigo Pozoi”, “Isan Korça”, “Petro Strugji”, si dhe segmentin te kryqëzimi i Ersekës, rrugën “Antonio Athanas”, në drejtim të Polit të Eventeve deri në fshatin Qatrom.


Në kthim të garuesve, kufizimi i qarkullimit do të vijojë në rrugët “Gaqo Avrazi”, “Koço Tupa”, bulevardin “Fan Noli”, rrugët “Kiço Greço”, “Midhi Kostani”, “Teli Samsuri” dhe “Niko Kovaçi”, deri në pikën e nisjes, në bulevardin “Republika”.


Policia u kërkon drejtuesve të mjeteve mirëkuptim dhe i orienton që gjatë këtij intervali kohor të përdorin segmentet “Kryqëzimi i Plasës-Kryqëzimi i Libonikut” dhe “Qatrom-Voskop-Lumalas”.


Ndërkohë, qytetarëve u bëhet apel që të shmangin përdorimin e mjeteve deri në përfundimin e aktivitetit dhe të përdorin rrugët dytësore brenda lagjeve.

“KORÇA BOOM”


bottom of page