top of page

Kaos në Korçë/ Maratona bllokon rrugët, shoferët kalojnë mes fshatrave

5 hours ago
2 min read

Korça është përfshirë nga kaosi në qarkullim këtë të diel, për shkak të zhvillimit të maratonës ndërkombëtare “Little Paris”.


Bllokimi i disa prej akseve kryesore rrugore ka sjellë vështirësi për drejtuesit e mjeteve, si për ata që kërkojnë të hyjnë në qytet, ashtu edhe për ata që duan të largohen prej tij. Prej dy ditësh, Policia e Korçës kishte njoftuar kufizimin e qarkullimit në disa segmente rrugore, nga ora 08:00 deri në orën 12:00 të datës 20 shtator 2026, për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv.


Megjithatë, situata në terren paraqitet problematike, pasi drejtuesit e mjeteve janë detyruar të gjejnë rrugë alternative për të vijuar lëvizjen. Në disa raste, automjetet po kalojnë përmes fshatrave përreth, në rrugë ku qarkullojnë edhe zetorë dhe mjete bujqësore.


Sipas konstatimeve të CNA, problematikë mbetet orientimi i drejtuesve të mjeteve, pasi mungojnë udhëzimet e qarta për drejtimin që duhet të ndjekin automjetet për të hyrë në qytetin e Korçës. Kjo ka shtuar vështirësitë për qytetarët dhe udhëtarët që nuk janë të njohur me rrugët alternative.


Përmes një njoftimi zyrtar, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë kishte bërë me dije se kufizimet do të përfshinin një sërë rrugësh kryesore të qytetit, si bulevardet “Republika”, “Rilindasit” dhe “Fan Noli”, si dhe disa akse të tjera që lidhen me itinerarin e garës. Në drejtim të Polit të Eventeve, kufizimet përfshijnë rrugët “Erdoej”, “Dishnicë-Kryqëzimi i Çifligut”, “Muzakaj”, “Marigo Pozoi”, “Isan Korça”, “Petro Strugji”, kryqëzimin e Ersekës dhe rrugën “Antonio Athanas”, deri në fshatin Qatrom. Ndërsa në kthim të garuesve, qarkullimi kufizohet në rrugët “Gaqo Avrazi”, “Koço Tupa”, “Kiço Greço”, “Midhi Kostani”, “Teli Samsuri” dhe “Niko Kovaçi”, deri në pikën e nisjes, në bulevardin “Republika”.


Policia u ka kërkuar mirëkuptim drejtuesve të mjeteve, duke i orientuar të përdorin segmentet rrugore “Kryqëzimi i Plasës-Kryqëzimi i Libonikut” dhe “Qatrom-Voskop-Lumalas” gjatë intervalit të kufizimit. Gjithashtu, qytetarëve u është bërë apel të shmangin përdorimin e automjeteve deri në përfundim të aktivitetit dhe të qarkullojnë në rrugët dytësore brenda lagjeve.


Ndërsa maratona ndërkombëtare “Little Paris” sjell garues dhe vizitorë në qytetin juglindor, vështirësitë në qarkullim ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit dhe orientimit të trafikut gjatë aktiviteteve të tilla, veçanërisht për automjetet që kanë si destinacion hyrjen apo daljen nga Korça./CNA

“KORÇA BOOM”


bottom of page