Kuqezinjtë mahnisin në “Arenën Kombëtare”. Shqipëria mposht Jordaninë me rezultat spektakolar 4-2
- Korca Boom
- 5 hours ago
- 2 min read
Kombëtarja shqiptare ka dhuruar një tjetër performancë bindëse në një ndeshje miqësore ndërkombëtare, duke mposhtur Jordaninë me rezultatin 4-2 në “Arenën Kombëtare”. Nën drejtimin e Sylvinhos, kuqezinjtë treguan ritëm, vendosmëri dhe efikasitet, duke e përmbysur disavantazhin dhe duke bindur në çdo repart.
Fillimi me pengesa, por reagim i menjëhershëm
Takimi nuk nisi në mënyrën më të mirë për Shqipërinë, që u ndëshkua në minutën e 27’, kur Al-Rashdan shfrytëzoi një gabim në mbrojtje dhe kaloi Jordaninë në avantazh. Por përgjigjja erdhi shpejt: në minutën e 40’, Nedim Bajrami pas një depërtimi në zonë detyroi mbrojtësin Mo Abualnadi të shënojë autogol, duke vendosur barazpeshën 1-1 para përfundimit të pjesës së parë.
Broja, Hoxha dhe Bajrami, treshja që vulosi fitoren
Pjesa e dytë foli vetëm për Shqipërinë. Sylvinho hodhi në fushë Armando Brojën në minutën e 61-të, dhe katër minuta më vonë, sulmuesi kaloi portierin kundërshtar për të realizuar golin e avantazhit 2-1.
Në minutën e 75’, ishte radha e Arbër Hoxhës për të shkëlqyer, teksa me një goditje të fuqishme nga distanca trefishoi rezultatin. Spektakli kuqezi u mbyll nga vetë Bajrami, i cili në minutën e 79’, pas një asisti të Brojës, shënoi golin e katërt për Shqipërinë. Në fund, Olwan realizoi golin e dytë për Jordaninë (90’), një gol që vlejti vetëm për statistika.
Formë fantastike para sfidës vendimtare ndaj Andorrës
Kjo është fitorja e katërt radhazi për kuqezinjtë, dy në ndeshje zyrtare dhe dy në miqësore – një seri që vjen në momentin më të mirë, përpara ndeshjes vendimtare ndaj Andorrës më 13 nëntor. Në atë sfidë pritet të vendosen fatet e Shqipërisë në grup, si dhe mundësia për të siguruar një vend në “Play-Off”-in e Botërorit 2026.
“KORÇA BOOM”
