Duhet reagim, Lushnja në Korçë me mungesa “të rënda”. 1 pikë i ndan verdhejeshilët nga zona e rënies
- 2 hours ago
- 2 min read
Java e 25-të e Kategorisë së Parë e gjen Lushnjën në transfertën e Korçës, ku ndaj kryesuesve të kampionatit verdhejeshilët do të zbresin në fushë me disa mungesa të rëndësishme. Trajneri Artan Bano nuk do të ketë në dispozicion tre titullarë në këtë takim, portierin Oltjan Haremi, mbrojtësin Kledis Hida, si dhe kapitenin Mikel Canka.
Të tre këta lojtarë do të vuajnë pasojat e kartonëve të marrë në ndeshjen ndaj Laçit, ku Lushnja u shpërfytyrua në shtëpi me humbjen 5-1. Portieri Haremi u ndëshkua me karton të kuq pas përplasjeve me tifozët vendas dhe dënimi për “gardianin” është edhe më i rëndë, pasi Komisioni i Disiplinës e ka pezulluar me dy ndeshje. Ndërkohë, Canka dhe Hida kanë plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe janë automatikisht të pezulluar për këtë sfidë. Në mungesë të Haremit, në Korçë pritet të jetë titullar Sauguli Alimuçaj. Mbetet për t’u parë se për kë do të vendosë trajneri Bano për të zëvendësuar Hidën dhe Cankën.
Gjithsesi, kushdo që të zbresë në fushë, nga skuadra kërkohet maksimumi, në mënyrë që situata e ekipit të mos përkeqësohet më tej , diçka që askush nuk e dëshiron në Lushnjë.
Në fazën e parë, dy skuadrat barazuan 1-1 në “Roza Haxhiu”, ndërsa në fazën e dytë përballja e zhvilluar në Korçë ishte dramatike dhe me shumë gola. Skënderbeu fitoi 4-3, me golin e fitores për bardhekuqtë të shënuar nga egjiptiani Saleh Nasr në minutën e shtatë shtesë. Situata është e tillë që të dy ekipet kërkojnë maksimumin: Skënderbeu për të mbrojtur kreun, ndërsa Lushnja për të siguruar mbijetesën. Kjo e bën edhe më intriguese përballjen e radhës, me verdhejeshilët që synojnë të mos dalin duarbosh nga Korça.
Aktualisht, vetëm një pikë e ndan Lushnjën nga vendi i 11-të në renditje, pozicion që në fund të kampionatit të zbret në Kategorinë e Dytë.
8 sezone ka Lushnja larg elitës së futbollit shqiptar, ku për herë të fundit ka milituar në Superiore në edicionin 2017-2018. Në vitet e fundit Lushnja më shumë ka luftuar për sigurimin e mbijetesës në të Parën./ PANORAMASPORT.AL
“KORÇA BOOM”
















