Kur një vulë shpëtoi vendin: Roli vendimtar i frangut shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore
- Korca Boom
- 2 days ago
- 2 min read
Historia e frangut shqiptar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore mbetet një nga episodet më të veçanta të stabilizimit ekonomik të vendit. Në një kohë kur Shqipëria po përballej me pasiguri monetare dhe rrezik inflacioni, një ndërhyrje e shpejtë financiare shmangu kolapsin e ekonomisë së pasluftës.
Sipas raportit të datës 22 qershor 1945, Banka e Shtetit Shqiptar shpalli vulosjen e kartëmonedhave dhe çekmonedhave të emetuara nga ish-Banka Kombëtare e Shqipnis. Pas vendosjes së qeverisë së re, vendi u përball me vështirësi serioze për shkak të pamundësisë për të shtypur kartëmonedha të reja dhe për të zëvendësuar ato ekzistuese në qarkullim, çka po ushqente inflacionin.
Për të normalizuar situatën monetare, autoritetet vendosën të ndërhyjnë përmes vulosjes së kartëmonedhave ekzistuese. Procesi u shtri në të gjithë vendin nga data 27 qershor deri në korrik të vitit 1945. Fillimisht, në zonat kufitare, vulosja u aplikua vetëm për prerjet 20 dhe 100 franga shqiptare, si dhe për çekmonedhat.
Vula kishte formën e një drejtkëndëshi dhe përmbante shqiponjën dykrenare me yll mbi të, si dhe mbishkrimin “Banka e Shtetit Shqiptar”, të realizuara me vijëzime horizontale dhe hijëzime karakteristike. Kartëmonedhat dhe çekmonedhat që nuk u paraqitën për vulosje u shpallën të pavlefshme dhe dolën jashtë qarkullimit.
Kjo ndërhyrje pati ndikim të drejtpërdrejtë në stabilizimin e qarkullimit monetar. Nga procesi u përjashtuan kartëmonedhat me prerje nën 20 franga. Deri në fund të vitit 1945, u arrit të vulosej rreth 70 për qind e sasisë së frangut shqiptar që kishte qarkulluar deri në fund të vitit 1944.
Falë kësaj mase të marrë në kohë, lëvizja e mallrave dhe shërbimeve nuk u paralizua dhe ekonomia arriti të shmangë një krizë të thellë financiare. Kjo mbetet historia e rrallë se si frangu shqiptar luajti një rol vendimtar në shpëtimin e ekonomisë së pasluftës nga kolapsi.
"KORCA BOOM"



















