top of page

Qeveri teknike apo skenar filmi? Letra që bëri rrjetin të qeshë

  • 1 hour ago
  • 1 min read

Një letër që ka qarkulluar në rrjet, ku i bëhet thirrje Kryeministrit Edi Rama të largohet nga Kryeministria, është kthyer në objekt diskutimesh dhe reagimesh ironike në rrjetet sociale.


Dokumenti, i atribuar një grupimi që vetëquhet “qeveri teknike”, përmban disa kërkesa në formë ultimatumi. Në letër, një person i identifikuar si Edison Rrapushi i kërkon Ramës lirimin e menjëhershëm të zyrave të Kryeministrisë, me pretendimin se ato duhet t’i dorëzohen një figure tjetër të përmendur si “profesor” Pëllumb Pilinçi.


Sipas përmbajtjes së letrës, Kryeministrit i jepet një afat prej shtatë ditësh për të liruar ambientet, për të ndaluar nxjerrjen e vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe për të dorëzuar “çelësat, vulat dhe regjistrin e personelit”.


Në tekst pretendohet gjithashtu se mandati i qeverisë aktuale ka përfunduar më 11 gusht 2025 dhe se në Vlorë është “mandatuar” një e ashtuquajtur qeveri teknike. Po ashtu, në letër hidhen pretendime për “okupim të paligjshëm” të institucioneve shtetërore.


Pjesa më e komentuar në rrjet lidhet me një paralajmërim ku përmendet mundësia e një “operacioni ushtarak”, duke e krahasuar situatën me zhvillime në Venezuelë, çka ka sjellë reagime ironike dhe meme në rrjet.


Ngjarja nuk ka marrë asnjë konfirmim zyrtar dhe është trajtuar kryesisht si material që ka shkaktuar debat dhe humor në hapësirën online.

“KORÇA BOOM”


bottom of page