Lajm i hidhur për atletikën shqiptare, shuhet në moshë të re kampioni Dardan Baraku
- 1 hour ago
- 1 min read
Sporti shqiptar është tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të atletit të ri Dardan Baraku, kampion i Shqipërisë në garën e 100 metrave për grupmoshën U16.
Lajmi i dhimbshëm është bërë i ditur nga Shoqata e Atletikës "Vllaznia", e cila ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e një prej talenteve më premtuese të atletikës shqiptare.
"Dardani ishte një djalë i talentuar, i përkushtuar dhe shembull i pasionit për atletikën. Me punën, disiplinën dhe rezultatet e tij, ai i solli krenari Shoqatës së Atletikës 'Vllaznia' dhe sportit shkodran, duke lënë gjurmë në zemrat e trajnerëve, bashkëmoshatarëve dhe të gjithë atyre që e njohën", thuhet në mesazhin e shoqatës.
Sipas njoftimit, Dardan Baraku ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë pas një dhimbje të madhe te familja, miqtë dhe i gjithë komuniteti sportiv.
Në fund të mesazhit, Shoqata e Atletikës "Vllaznia" i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Baraku, të afërmve dhe miqve të tij.
“KORÇA BOOM”
















