Lajm i trishtë pas ngjarjes, ndërron jetë 37-vjeçari
Ka ndërruar jetë mesditën e kësaj të enjteje në Spitalin Universitar të Traumës, Maridon Dhuli, 37-vjeçari nga fshati Fterrë, i cili pësoi djegie të rënda pasi automjeti me të cilin udhëtonte u përfshi nga flakët në aksin Kardhiq–Delvinë, pranë Tunelit të Skërficës.
I riu ishte transportuar me urgjencë nga Saranda drejt Tiranës, pasi kishte marrë djegie të shkallës së tretë. Pavarësisht ndihmës mjekësore, ai nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të rënda.
Ngjarja e rëndë ndodhi kur automjeti tip “Volkswagen Touran”, me të cilin udhëtonte 37-vjeçari, shpërtheu në flakë gjatë lëvizjes. Për pasojë, drejtuesi i mjetit mbeti i plagosur rëndë.
Në momentet dramatike, disa kalimtarë të rastit nxituan për t'i ardhur në ndihmë të riut.
Mes tyre ishte edhe Sokol Ahmetaj nga Saranda, i cili tentoi të shuante flakët që kishin përfshirë trupin e 37-vjeçarit, duke përdorur xhupin e tij.
Një përpjekje e dëshpëruar për t'i shpëtuar jetën, por fatkeqësisht, pas orëve të trajtimit mjekësor, Maridon Dhuli ndërroi jetë në spital.
Ngjarja ka tronditur familjarët dhe të afërmit e të riut, ndërsa mbeten për t'u sqaruar rrethanat e plota se si automjeti u përfshi nga flakët gjatë udhëtimit.
“KORÇA BOOM”
















