LAJMI FUNDIT/ Skënderbeu nuk ndalet në merkato, katër afrime të reja shumë pranë zyrtarizimit
- Korca Boom
- Dec 28, 2025
- 1 min read
Edhe pse jemi në periudhë pushimesh dhe në pamje të parë duket sikur gjithçka ka ndalur, kjo nuk vlen për merkaton e Skënderbeut. Pavarësisht interesimit të madh dhe pyetjeve të vazhdueshme nga tifozët korçarë për atë se çfarë do të ndodhë në merkato, puna në prapaskenë po vijon intensivisht.
Ashtu si gjithmonë, “Korça Boom” mëson se merkato e Skënderbeut është mjaft aktive në këto momente. Nga burime të sigurta bëhet e ditur se janë katër futbollistë që ndodhen në planet e klubit korçar.
Kjo lidhet edhe me faktin se disa muaj më parë drejtori teknik Ardi Gjançi ka qenë në Nigeri, jo vetëm për të vëzhguar lojtarë, por edhe për të krijuar kontakte për afrime të mundshme.
Nuk dihet ende me saktësi nëse këta futbollistë janë gati për të dhënë kontribut të menjëhershëm në ekip apo bëhet fjalë për elementë të rinj dhe të talentuar, të cilët mund të kenë një të ardhme shumë të mirë në një afat të afërt.
Sipas informacioneve, bëhet fjalë për lojtarë cilësorë që pritet t’i bashkohen Skënderbeut në ditën e parë të seancës stërvitore të vitit të ri.
Disa prej futbollistëve tashmë kanë mbërritur, ndërsa pritet që edhe dy të tjerët të bashkohen së shpejti me ekipin. Ekziston një mundësi e madhe që emrat e tyre të bëhen publikë në ditët e para të vitit të ri.
"KORCA BOOM"



















