top of page

Lakrori në saç në Korçë, përvojë unike që tërheq çdo ditë vizitorë e turistë

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 2 min read

Lakrori me dy peta i pjekur në saç, i konsideruar si një prej gatimeve tradicionale korçare, tashmë vjen edhe si pjesë e turizmit kulinar, ku vendasit dhe të huajt mund të shohin nga afër mënyrën e përgatitjes.


Ky gatim tradicional ka qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës sociale në Korçë, në festa familjare, pritje miqsh dhe aktivitete komunitare. Sot, lakrori në saç është shndërruar edhe në një atraksion gastronomik për turistët, të cilët e kërkojnë gjithnjë e më shumë si pjesë të përvojës autentike korçare.


Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga përgatitja e lakrorit në sipërmarrjen “Shija e saçit”, që ndodhet në zemër të Pazarit të Vjetër të Korçës, gatuar me dashuri nga Edlira dhe Gramoz Shelanji.


Rama tha se çifti Shelanji mbajnë gjallë një nga traditat më të bukura korçare, një përvojë unike që tërheq çdo ditë vizitorë e turistë.


Ndërkohë, Edlira shprehet se kjo traditë është trashëguar nga gjyshet e saj.


“Ato e bënin lakrorin në saç dhe unë kam vendosur ta vazhdoj këtë traditë. Puna ime është e bazuar në prodhime me dorë. Okllaija është i trashëguar prej 200 vjetësh. E kanë trashëguar gjyshet e mia dhe gjyshet e tyre dhe ajo okllai ka ecur brez pas brezi”, tha ajo.


“Ushqimi ynë është shumë i pëlqyer nga turistët e huaj, që duan të hanë diçka tradicionale.


Shumë prej tyre na filmojnë dhe gjatë procesit. Ndërkohë, që unë përgatis lakrorin, Gramozi merret me pjekjen. Të huajt i impresionon mënyra si piqet. Marrim falënderime nga klientët tanë dhe unë ndihem shumë e kënaqur”, tha Shelanji.


Në një kohë kur kuzhina moderne po merr gjithnjë e më shumë terren, lakrori në saç mbetet një dëshmi e gjallë e ruajtjes së identitetit kulturor dhe kulinar të Korçës, duke dëshmuar se shijet tradicionale vazhdojnë të kenë vend të veçantë në kulturën shqiptare.

“KORÇA BOOM”


bottom of page