Rrënjët e Kolonjës/ Bilbil Rakipi, mjeku anestezist-reanimator i përkushtuar!
- 2 hours ago
- 1 min read
Rrënjët e Kolonjës - Bilbil Rakipi
Dr. Bilbil Et’hem Rakipi, mjek anestezist–reanimator, lindi më 20 shkurt 1959 në Novoselë të Kolonjës. Ai përfundoi shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi” në Ersekë dhe më pas Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, duke u diplomuar në vitin 1984 me rezultate shumë të mira.
Specializimin në Anestezi–Reanimacion e kreu në vitet 1985–1988, duke u kualifikuar edhe jashtë vendit, në Kajro dhe Athinë.
Karrierën profesionale e nisi në spitalin e Ersekës, ku shërbeu si mjek anestezist–reanimator, ndërsa më pas punoi edhe në Qendrën Universitare të Politraumës pranë Spitalit të Ushtrisë dhe në Shërbimin e Anestezi-Reanimacionit në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë.
Gjatë viteve të punës ai ka marrë pjesë në aktivitete dhe konferenca të shumta shkencore, brenda dhe jashtë vendit, duke u përkushtuar vazhdimisht në rritjen e tij profesionale.
Dr. Rakipi njihet për përkushtimin ndaj pacientëve dhe profesionit të tij, një profesion i vështirë që kërkon përgjegjësi të madhe përballë jetës së njerëzve.
Gjatë karrierës së tij ai ka realizuar mijëra anestezi në raste të vështira dhe ka qëndruar gjithmonë pranë pacientëve dhe familjarëve të tyre, duke ndarë me ta shpresën dhe përpjekjen për shpëtimin e jetës.
“KORÇA BOOM”
















