Lëvizje prapaskenash/ Gjoka në radarët e Partizanit, gara me Duron ndizet
- 3 hours ago
- 1 min read
Duket se rrugët e trajnerit Ernest Gjoka me Skënderbeu Korçë janë drejt ndarjes, edhe pse deri në këto momente mungon një njoftim zyrtar nga klubi. Megjithatë, sinjalet e fundit dhe zhvillimet në prapaskenë lënë të kuptohet se bashkëpunimi mes palëve ka ardhur drejt fundit.
Situata bëhet edhe më interesante pas lajmeve të fundit që qarkullojnë në ambientet sportive, sipas të cilave për Gjokën mund të jetë gati një tjetër aventurë në pankinë. Më konkretisht, ai përmendet si një nga kandidaturat kryesore për të marrë drejtimin e Partizanit
Megjithatë, gara për këtë post nuk pritet të jetë e lehtë. Në skenë është edhe emri i Shpëtim Duros, një trajner me përvojë në futbollin shqiptar, i cili raportohet se ndodhet në një pozicion mjaft të favorshëm për të marrë drejtimin e skuadrës së kuqe. Burime pranë klubit sugjerojnë se drejtuesit janë duke shqyrtuar disa alternativa për të bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme.
Në ditët në vijim pritet që situata të marrë një drejtim më të qartë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Gjoka do të rikthehet në një tjetër projekt ambicioz apo Partizani do t’i besojë drejtimin një tjetër tekniku.
“KORÇA BOOM”
















