Lëvizje surprizë në qeveri, një figurë e njohur e opozitës merr post drejtues
- Korca Boom
- Sep 25, 2025
- 1 min read
Një lëvizje e papritur ka ndodhur në kabinetin qeveritar, ku një ish-deputete e njohur e opozitës është emëruar zëvendësministre e Brendshme.
Bëhet fjalë për një ish-përfaqësuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe më pas të Partisë së Lirisë, e cila deri pak ditë më parë mbante mandatin si anëtare e këshillit bashkiak të Tiranës. Dorëheqja e saj e menjëhershme nga ky post ngriti pikëpyetje për prapaskena politike, të cilat tani marrin formë përmes përfshirjes së saj në ekzekutiv.
Emërimi i saj vjen si pjesë e kabinetit të ri qeveritar, i njohur si ‘Rama 4’, dhe cilësohet si një vendim me peshë simbolike, që sinjalizon afrimin e figurave nga opozita drejt mazhorancës.
Në zgjedhjet e 11 majit ajo ishte kandidate e parë në listën për deputetë në Tiranë nën siglën e Partisë së Lirisë. Megjithatë, pas rezultateve dhe zhvillimeve të fundit, duket se ka zgjedhur një drejtim të ri politik.
Kjo nuk është lëvizja e vetme e bujshme që ka ndodhur kohët e fundit. Më parë, edhe një tjetër emër i rëndësishëm i kësaj partie opozitare kishte kaluar në radhët e Partisë Socialiste, duke konfirmuar një tendencë të re në dinamikën politike të vendit.
Ende nuk ka një reagim publik nga Partia e Lirisë lidhur me këtë zhvillim, ndërsa në skenën politike pritet të ketë përplasje të reja mbi qëndrimet dhe qëllimet e vërteta pas këtij emërimi.
“KORÇA BOOM”



















