Çfarë i tha Trump Osmanit? Presidentja tregon nga Davosi
- Korca Boom
- 5 minutes ago
- 1 min read
Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Davosi në emisionin “Top Story” me Grida Dumën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndau detaje nga ceremonia e Bordit të Paqes dhe foli për bisedën që zhvilloi me presidentin amerikan, Donald Trump.
E pyetur mbi përmbajtjen e takimit, Osmani tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara i përcolli një mesazh pozitiv për Kosovën dhe qytetarët e saj. Ajo theksoi se biseda kishte nisur që në samitin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, më 28 shtator, dhe u zhvillua në një frymë shumë miqësore dhe konstruktive.
Presidentja sqaroi gjithashtu pse Kosova u përfaqësua prej saj dhe jo nga kryeministri Albin Kurti, duke nënvizuar se Kushtetuta e Kosovës parashikon që politika e jashtme të udhëhiqet nga presidenti i vendit. Megjithatë, Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është një sukses i përbashkët institucional, si për presidencën ashtu edhe për qeverinë.
E pyetur për protokollin e ceremonisë, Osmani shpjegoi se rregullat për uljen dhe nënshkrimin ishin përcaktuar nga Shtëpia e Bardhë. Sa i përket veshjes së saj në ngjyrë të kuqe, presidentja tha se ishte një zgjedhje personale, pasi është ngjyra e saj e preferuar.
"KORCA BOOM"



















