Niko Peleshi: 2 fjalë për Florindën, Prefekten e re të Korçës
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, ka bërë këtë postim një ditë pasi Florinda Zegullaj mori postin e Prefektes së Korçës:
Florinda Zegullaj, një vajzë e re e diplomuar për Financë në Poloni, doktore e shkencave, me disa vite përvojë pune në administratë, aktiviste e palodhur në çështjet e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe me vlerësime të shkëlqyera nga të gjithë ata që kanë punuar me të dhe e njohin nga afër, u emërua Prefekte e Qarkut të Korçës. Nënë model e dy fëmijëve, ajo vjen në këtë detyrë jo vetëm me kompetencë profesionale, por edhe me një ndjeshmëri njerëzore që nuk mësohet në libra: ajo fitohet në jetë, në punë dhe në karakter.
Ajo që e bën disi të pazakontë këtë emërim është pikërisht fakti se Florinda nuk vjen nga radhët e politikës dhe nuk ka qenë “emër i njohur” për opinionin publik, sepse ka zgjedhur të punojë me pasion, me përulësi dhe pa u interesuar të bjerë në sy. Kjo është arsyeja pse ftesën për t’u angazhuar në një rol kaq të rëndësishëm shtetëror e priti me habi të ligjshme: sepse ende nuk është bërë normë që të vlerësohesh kur kryen me dinjitet një punë “të zakonshme”.
Kjo sepse e zakonshmja trajtohet si e parëndësishme. Mbase ky nuk është domosdoshmërisht një “rregull” vetëm shqiptar, por sidoqoftë është i padrejtë. Madhështia e njerëzve të zakonshëm shpesh mbetet e padukshme, sepse nuk bërtet. Vlerat e vërteta profesionale dhe njerëzore kanë drojë të kërkojnë vëmendje në një realitet ku, gjatë viteve të tranzicionit të gjatë e të rrëmujshëm, punës së ndershme nuk iu dha gjithmonë prestigji që meriton.
Sa më shumë hapësirë t’u krijojmë “kampionëve të heshtur” të punës, atyre që ndërtojnë pa bujë, që shërbejnë pa reklamë dhe që ecin përpara me integritet aq më e drejtë, më e shëndetshme dhe më inkurajuese do të bëhet shoqëria jonë. Sepse në fund, shteti dhe komuniteti nuk mbahen nga fjalët e mëdha, por nga njerëzit e duhur në vendin e duhur.
Në këtë kuptim, emërimi i Florindës si përfaqësuese e Kryeministrit për Qarkun e Korçës nuk është vetëm një vendim i drejtë; është një mesazh. Një shembull që frymëzon, sepse tregon se ndershmëria, puna e mirë dhe karakteri mund dhe duhet të jenë arsye mjaftueshëm të forta për të marrë përgjegjësi të mëdha.
SUKSESE FLORINDA!
“KORÇA BOOM”



















