Mbledhje 90-minutëshe në PS, Rama dhe Balla analizojnë situatën pas vendimit të Kushtetueses
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 1 min read
Mbledhja urgjente e grupit të deputetëve socialistë të Tiranës, e thirrur mbrëmjen e sotme nga kryeministri Edi Rama në selinë e Partisë Socialiste, është mbyllur pas më shumë se një ore e gjysmë diskutimesh.
Në takim mori pjesë edhe kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, ndërsa burime nga brenda mbledhjes kanë zbuluar disa nga mesazhet kryesore që Rama u përcolli deputetëve dhe strukturave të PS-së në kryeqytet.
Sipas burimeve për media, kryeministri ka kërkuar forcim të organizimit të partisë në nivel lokal, rritje të komunikimit me qytetarët dhe adresim më të shpejtë të problematikave që vijnë nga njësitë administrative.
“Mos të humbim ritmin e punës së partisë në Tiranë. Pavarësisht situatës nga Kushtetuesja, ne duhet të jemi gati për zgjedhje në çdo kohë,” mësohet të ketë thënë Rama, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese që anuloi zgjedhjet e pjesshme në kryeqytet.
Kryeministri ka theksuar gjithashtu se strukturat socialiste duhet të vijojnë të mbajnë ritmin organizativ dhe të përgatisin terrenin politik për çdo skenar elektoral të mundshëm, duke shmangur çdo shenjë dobësimi apo ulje të angazhimit në bazë.
Pas përfundimit të mbledhjes, Rama dhe Balla u panë së bashku teksa largoheshin nga selia rozë, ndërsa burime pranë PS-së treguan se diskutimet kanë qenë të ngarkuara dhe fokusi kryesor mbetet mobilizimi politik në Tiranë.
"KORCA BOOM"



















