top of page

Mbyllet gara për 6 drejtues departamentesh në Policinë e Shtetit, 9 kandidatë në garë

  • 2 days ago
  • 2 min read

Është mbyllur afati i aplikimeve për garën për drejtuesit e gjashtë departamenteve kryesore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Afati për dorëzimin e aplikimeve përfundoi të premten, më 17 korrik, ndërsa në proces janë regjistruar gjithsej 9 kandidatë.


Burime nga procesi bëjnë me dije se kandidatët do të konkurrojnë për drejtimin e strukturave më të rëndësishme të policisë, ndërsa gjashtë prej tyre pritet të emërohen në krye të departamenteve.


Në garë janë: Pëllumb Seferi; Artan Barjaktari; Lorenc Panganika; Saimir Muça; Hergis Jica; Idajet Faskaj; Ferdinand Mara; Alban Dauti; Lufti Minxhozi.

Departamentet për të cilat po zhvillohet konkurrimi janë:


Departamenti për Policinë Kriminale

Departamenti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse

Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike

Departamenti i Teknologjisë së Informacionit

Departamenti për Kufirin dhe Migracionin


Procesi i konkurrimit u hap me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me synimin për të zgjedhur për herë të parë drejtuesit e këtyre strukturave përmes një procedure konkurruese. Pak muaj më parë, gara për drejtimin e departamenteve u anulua pas padisë së ish-drejtueses së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj, në Gjykatën Administrative, pasi ajo nuk u rikthye në të njëjtin pozicion që kishte mbajtur më parë në Policinë e Shtetit. Emërimi i saj më pas në një pozicion drejtues departamenti solli zgjidhjen e situatës dhe vijimin e procesit.

Sipas kritereve të përcaktuara në ligjin për Policinë e Shtetit, kandidatët duhet të kenë gradën e rolit të mesëm drejtues, të mos kenë marrë masa të rënda disiplinore gjatë tre viteve të fundit, të mos kenë konflikt interesi dhe të plotësojnë kriteret ligjore e shëndetësore për ushtrimin e funksionit. Në ditët në vijim pritet të zhvillohen fazat e tjera të vlerësimit nga një komision i posaçëm në Policinë e Shtetit. Në përfundim të procesit do të shpallen drejtuesit e rinj të gjashtë departamenteve.


Emërimi i tyre do të bëhet me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me firmën e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Kjo pritet të jetë hera e parë dhe e fundit që drejtuesit e departamenteve në Policinë e Shtetit përzgjidhen përmes konkursit, pasi në Kuvend pritet të miratohen ndryshime në ligjin për policinë, të cilat parashikojnë heqjen e procedurave konkurruese për nivelet më të ulëta drejtuese, me përjashtim të pozicionit të drejtorit të Përgjithshëm./ BallkanWeb

"KORÇA BOOM"


bottom of page