“Me 220 milionë euro mund të blinte edhe Pallatin Elize", Fevziu ngre pikëpyetje për Ermal Beqirin: Si jetonte i lirë në mes të Europës një person me “njollë të kuqe”
- 11 hours ago
- 3 min read
Gazetari Blendi Fevziu ka komentuar arrestimin në Francë të biznesmenit Ermal Beqiri që kërkohet nga SPAK për dosjen e AKSHI-t.
Gjatë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, autoritetet dyshojnë se Beqiri zotëronte një numër të konsiderueshëm pasurish në Francë, përfshirë një kështjellë luksoze, disa apartamente, llogari bankare si dhe një avion privat.
Fevziu theksoi në reagimin e tij se debati nuk duhet të përqendrohet tek luksi i pasurive të Beqirit, por tek mënyra sesi një individ i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka arritur të jetojë i lirë për një kohë të gjatë në një shtet të BE-së, duke sfiduar statusin e tij ligjor.
“Çudia më e madhe nuk është as kështjella dhe as avioni. Problemi kryesor është se si një person në kërkim ndërkombëtar, me një njoftim të kuq, konsideruar një nga personat më të rrezikshëm, mund të ishte pronar i pasurive të mëdha, llogarive bankare dhe një avioni privat, pa u identifikuar nga autoritetet”, u shpreh gazetari.
Ai gjithashtu solli në vëmendje shumat e konsiderueshme të kontratave që biznesi i Beqirit dyshohet se ka përfituar nga shteti përmes tenderave të AKSHI-t, duke ironizuar se me ato të ardhura mund të bleheshin prona të famshme si Pallati Elysee.
Fevziu nënvizoi se çështja kryesore lidhet me efektivitetin e mekanizmave të sigurisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nuk mund të jetojë i qetë në prona të regjistruara në emrin e tij. Ose ka qenë nën vëzhgim nga autoritetet për shkak të hetimeve, ose kemi një dështim të sistemit të sigurisë”, deklaroi Fevziu.
Gazetari shtoi se ky rast hap diskutime më të gjera për mënyrën si individë të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale arrijnë të qëndrojnë të lirë brenda vendeve europiane.
“Pyetja më e madhe është se çfarë po ndodh me persona të tillë që jetojnë në mes të Europës, ndërkohë që kërkohen për afera të tilla”, përfundoi Fevziu.
Reagimi i plotë i Fevziut:
Kam gjithë ditën që i lexoj lajmet se pse Ermal Beqiri ka blerë kështjellë në Francë. Në fakt, çudia më e madhe nuk është as kështjella dhe as avioni, se edhe unë hipa sot në një dron-taksi që fluturon.
Problemi kryesor me 220 milionë që ka marrë kompania e tij, mund të kishte blerë ndoshta edhe Pallatin Elysee, jo vetëm një kështjellë.
Çështja kryesore është se si mundet një person në kërkim, me njollë të kuqe, që quhet një ndër personat më të rrezikshëm, ishte pronar i dy apartamenteve, një kështjelle, dy llogarive bankare me 2 milionë euro, kishte avion privat që fluturonte në Francë dhe nuk ishte identifikuar as nga drejtësia, as nga policia.
Një person në kërkim me njollë të kuqe nuk mund të rrinte në pronat e tij të evidentuara në emër të tij. Dhe, mbi të gjitha, ose ka qenë në përgjim nga policia për të parë lidhjet që kishte dhe e kanë lënë vetë, ose ka falimentuar i gjithë sistemi i sigurisë në Europë.
Kjo është pikëpyetja më e madhe dhe shqetësimi më i madh, më shumë sesa fakti që ai kishte blerë një kështjellë në Francë, sepse me aq para sa kishte, mund të kishte blerë edhe Pallatin Elysee.
Çfarë po ndodh realisht me persona të tillë që qëndrojnë në mes të vendeve europiane, ndërkohë që kërkohen për afera të tilla? Kjo është pikëpyetja më e madhe./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















