Merkato e bllokuar prek skuadrat e të trija niveleve: Kategorinë Superiore, Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë
- Korca Boom
- 10 hours ago
- 1 min read
Shumë klube shqiptare do të përballen me një janar të vështirë në merkato, pasi FIFA ka bllokuar mundësinë për të regjistruar lojtarë të rinj për shkak të detyrimeve financiare të papaguara. Ky problem prek skuadrat e të tria niveleve: Kategorinë Superiore, Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë.
Në Superiore, situata më kritike duket te Vllaznia, e cila ka katër çështje të hapura në FIFA.
Pa zgjidhur këto probleme, çdo përpjekje për përforcime në janar është e pamundur. Në Kategorinë e Parë, dy klube, Kastrioti dhe Kukësi, ndodhen në situatë të ngjashme, me detyrime të papaguara që duhet rregulluar përpara se të mund të afrojnë lojtarë të rinj.
Pas ndeshjes së fundit ndaj Lushnjës, trajneri Ramadan Ndreu konfirmoi nevojën për afrime në dy apo tre role, por theksoi se gjithçka varet nga zgjidhja e detyrimeve të mëparshme.
Ndërkohë, te Kukësi po mendohet për largimin e 6–7 futbollistëve, ndërsa klubi synon të bëjë përforcimet e nevojshme për të ndryshuar klimën në ekip dhe për të ruajtur rezultatet.
Në Kategorinë e Dytë, Oriku është klubi i vetëm me merkato të bllokuar, pasi ka një çështje të pazgjidhur në FIFA. Janari për shumë klube shqiptare nuk është thjesht një periudhë për të blerë lojtarë, por një sfidë e vërtetë, mes shpresës për ringritje dhe rrezikut për të mbetur peng i problemeve financiare.
"KORCA BOOM"



















