top of page

Mes tyre edhe një vajzë/ Kush janë 4 shqiptarët e akuzuar për sulmin ndaj çiftit në Greqi

  • 53 minutes ago
  • 2 min read

Katër shtetas shqiptarë, mes tyre edhe një grua, janë vënë në qendër të hetimeve nga autoritetet greke për një tentativë grabitjeje të armatosur që tronditi zonën e Thermo, në rajonin e Etoli-Akarnania.


Sipas të dhënave të bëra publike, bëhet fjalë për shtetasit me inicialet R. Q., L. T., M. T. dhe F. S., të cilët akuzohen se organizuan një grabitje me dhunë ndaj një çifti të moshuar në banesën e tyre. Prokuroria greke ka nisur procedimin penal ndaj tyre për tentativë grabitjeje të armatosur në bashkëpunim.


Ngjarja ndodhi në muajin prill, kur tre prej të dyshuarve dyshohet se hynë në shtëpinë e çiftit nga një derë anësore. Nën kërcënimin e armëve, ata tentuan të merrnin sende me vlerë, ndërsa ndaj burrit të familjes ushtruan edhe dhunë fizike.


Plani i tyre dështoi kur djali i çiftit i vuri re dhe ndërhyri, duke i detyruar autorët të largoheshin me shpejtësi. Në momentin e arratisjes, njëri prej tyre qëlloi dy herë në ajër për të frikësuar familjarët, por fatmirësisht nuk pati persona të plagosur.


Pas denoncimit, policia greke organizoi një operacion për kapjen e tyre. Një automjet ku ndodhej e dyshuara me inicialet F. S. u ndalua në zonën e Sykias, ndërsa gjatë kontrollit u zbulua se dy prej bashkëpunëtorëve të saj ishin fshehur në bagazh. Të dy u arrestuan menjëherë.


I dyshuari i katërt, me inicialet M. T., u gjet më pas në një banesë me qira, ku fshihej prej disa ditësh.


Hetimet zbuluan gjithashtu se dy nga të arrestuarit ishin arratisur nga një qendër paraburgimi, ndërsa një tjetër kishte dalë me leje të rregullt gjashtëditore nga burgu ku vuante dënimin. Autoritetet greke po verifikojnë nëse grupi ka lidhje edhe me grabitje të tjera të ndodhura së fundmi në zonë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page