E rëndë : Tentuan të v*asin fqinjin, por p*agosën efektivin e policisë
- 58 minutes ago
- 2 min read
Efektivi i Komisariatit nr. 4 në Tiranë, Anxhelo Kumaraku, është pezulluar menjëherë nga detyra me urdhër të drejtorit të Policisë së Tiranës, Skënder Hita, pas incidentit të ndodhur pak pas mesnatës në zonën e Shkozës, ku ai mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë.
Sipas hetimeve paraprake, autoritetet kanë arritur të zbardhin dinamikën e ngjarjes dhe kanë identifikuar dy autorët e dyshuar, vëllezërit me inicialet A. L., 33 vjeç dhe A. L., 22 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim. Dyshohet se ata kanë tentuar të vrasin një fqinj të policit, por gjatë të shtënave kanë plagosur aksidentalisht vetë efektivin.
Ngjarja ka ndodhur pranë banesës së shtetasit Kedi Spaja, ku ai ndodhej së bashku me Anxhelo Kumarakun dhe një person tjetër me inicialet L. D. Sipas policisë, vëllezërit e shpallur në kërkim kanë qëlluar nga automjeti i tyre në drejtim të Kedi Spajës, ndërsa një nga plumbat ka kapur në këmbë Kumarakun, i cili në momentin e ngjarjes ishte jashtë shërbimit.
30-vjeçari është transportuar për ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve, policia arrestoi edhe Kedi Spajën, 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se ai kishte shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të vendosur më parë nga gjykata për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Ndërkohë, ndaj efektivit Anxhelo Kumaraku është hapur edhe një hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Sipas Policisë së Shtetit, ai dyshohet për shkelje të rëndë disiplinore, pasi është konstatuar në shoqërinë e një personi që kishte thyer masën e sigurisë dhe nuk ka njoftuar eprorët apo strukturat policore për situatën.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa po punohet intensivisht për kapjen e dy vëllezërve të shpallur në kërkim.
“KORÇA BOOM”
















