MESAZHI i Myftiut të Korçës, Ledian Cikalleshi me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit!
top of page

MESAZHI i Myftiut të Korçës, Ledian Cikalleshi me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit!

  • 5 hours ago
  • 2 min read

Bismilahi Rrahmani Rrahim


Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!


Të nderuar besimtarë, nesër, më 19 shkurt 2026, fillon muaji i begatë i Ramazanit, një muaj i shenjtë që na fton në reflektim të thellë dhe pastrim shpirtëror.


Me këtë rast kam kënaqësinë dhe nderin të uroj të gjithë besimtarët myslimanë të Qarkut të Korçës: Gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.


Thotë i Lartësuari në librin e Tij fisnik :


“ Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë,.”


Të nderuar vëllezër dhe motra!


Trokitja në derë e këtij mysafiri të nderuar është një sihariq i mirë për të gjithë myslimanët, të cilët i kaplon gëzim i madh. Gëzimi nuk është vetëm i të rriturve, ai njësoj i kaplon edhe ata më të vegjlit, për të cilët akoma nuk është obligim agjërimi i këtij muaji. Ditët e këtij muaji kanë një shije të veçantë, një shije të ëmbël, të këndshme, të lezetshme dhe qetësuese; zemrat e të devotshmëve lakmojnë mirësitë dhe begatitë e Krijuesit.


Muaji i Ramazanit është muaji i durimit, i lutjes, i Kuranit, i bujarisë, është muaji i dashurisë, vlerave njerëzore, respektit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit. Gjatë këtij muaji të rizgjojmë ndjenjat e bukura, të ndezim shpresat, të pastrojmë ndërgjegjet dhe të lutemi. Feja Islame i ka dhënë një rëndësi të madhe xhematit, adhurimeve të përbashkëta në grup, por Allahu i ka dhënë mundësinë njeriut që ta adhurojë Atë edhe individualisht. Kjo vlen edhe për Ramazanin.


Të nderuar motra dhe vëllezër, Ramazani është një ftesë hyjnore e përvitshme drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Zotin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë. Të mos harrojmë gjatë këtyre ditëve edhe ata të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë. Në iftaret tona të përvitshme të mos mungojnë familjet në nevojë dhe shtrimi i iftareve për ta.


Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, lus Allahun të na e pranojë agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira, ky muaj na sjelltë begati, mirësi, paqe në familjet tona, dhe në mbarë shoqërinë.


Agjerim të lehtë e të pranuar!

“KORÇA BOOM”


bottom of page