Kushtetuesja pranon kërkesën e gjyqtarëve, rishikohen pagat e magjistratëve
top of page

Kushtetuesja pranon kërkesën e gjyqtarëve, rishikohen pagat e magjistratëve

  • 1 hour ago
  • 2 min read

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve lidhur me ndryshimet ligjore për pagat e magjistratëve. Në vendimin e saj, Kushtetuesja vlerëson se disa nga pretendimet e ngritura janë të bazuara, duke i hapur rrugë rishikimit të formulës aktuale të përllogaritjes së pagave.


Gjykata i ka lënë detyrë Kuvendit të Shqipërisë të bëjë ndërhyrjet ligjore të nevojshme për të reflektuar konstatimet e saj. Vendimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën e përcaktimit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në balancën mes pushteteve lidhur me çështjet e pavarësisë financiare të sistemit të drejtësisë.


Më 3 mars të vitit të kaluar, Unioni i Gjyqtarëve kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të miratuara në vitin 2023 nga mazhoranca për pagat e magjistratëve. Sipas ndryshimeve, paga bazë e gjyqtarëve u përcaktua në 36% të pagës së Presidentit, konkretisht 153 mijë lekë. Më herët, paga referuese ishte ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri, në nivelin 132,100 lekë, çka me formulën e re solli një rritje prej mbi 20 mijë lekësh.


Megjithatë, gjyqtarët e konsideruan këtë ndryshim si ulje, pasi paralelisht u rritën pagat në administratën publike dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri shkoi në 231 mijë lekë. Sipas tyre, nëse do të ishte ruajtur referenca e mëparshme, paga e tyre do të ishte rreth 78 mijë lekë më e lartë.


Për këtë arsye, ata i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese rikthimin te formula e vjetër ose përcaktimin e pagës në masën 54.3% të pagës së Presidentit, me reflektim të çdo rritjeje të përgjithshme. Në praktikë, një rritje e tillë do të sillte shtesa shumë më të mëdha për shkak të formulës së llogaritjes, duke shkuar nga rreth 1800 euro për magjistratët e shkallës së parë deri në mbi 3000 euro për gjyqtarët e Apelit të GJKKO dhe SPAK.

"KORCA BOOM"


bottom of page