top of page

E akuzoi se përdorte gjoksin për të marrë atë që donte, shoferja e kamionit fiton mbi 19 mijë paund pas betejës ligjore me kolegen

  • 3 hours ago
  • 3 min read

Një shoferе kamioni në Britani ka fituar 19,042 paund dëmshpërblim, pasi një kolege e saj e akuzoi se përdorte pamjen fizike dhe favoret seksuale për të përfituar në vendin e punës. Gjykata e punës e cilësoi sjelljen si ngacmim seksual.


Charlotte Brooks, e cila punonte si shoferе HGV pranë kompanisë Co-op, nisi punën më 17 janar 2022 si praktikante për drejtimin e kamionëve. Në të njëjtën kohë, edhe Kerry Dawson ishte praktikante shoferе dhe të dyja u përfshinë në të njëjtin trajnim.


Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatën e punës në Exeter, Devon, gjatë një kursi trajnimi në Bristol, në korrik 2022, Dawson kishte bërë pretendime fyese për Brooks, duke u thënë instruktorëve se ajo do të kryente favore seksuale për të marrë atë që dëshironte.


Brooks deklaroi se ishte “shumë e mërzitur dhe e zhgënjyer” kur mësoi për komentet e bëra ndaj saj. Ajo e raportoi çështjen te menaxheri i saj, por nuk pranoi të merrte pjesë në një proces ndërmjetësimi, pasi mendonte se kjo nuk do ta zgjidhte problemin.


Sipas saj, rastet e bullizimit nga Dawson vazhduan dhe situata u përshkallëzua gjatë dy viteve.


Në tetor 2024, Brooks mori edhe një mesazh zanor nga Dawson, i cili më vonë u cilësua si i papërshtatshëm nga drejtuesit e Co-op. Në mesazh bëhej një koment denigrues për gjoksin dhe pamjen e Brooks, duke e akuzuar atë se mund ta përdorte pamjen e saj për të bërë të tjerët të bënin çfarë dëshironte.

Pas kësaj, Brooks paraqiti një ankesë zyrtare dhe Co-op nisi një hetim. Kompania arriti në përfundimin se sjellja e Dawson gjatë periudhës qershor 2022–tetor 2024 kishte qenë e papërshtatshme.


Gjatë një procedure disiplinore, menaxheri John Rowan tha se Dawson kishte pranuar se sjellja e saj ishte e gabuar. Duke marrë parasysh edhe politikën e kompanisë për tolerancë zero ndaj një sjelljeje të tillë, Dawson u pushua nga puna.


Megjithatë, ajo apeloi vendimin. Procesi i apelimit përfundoi me anulimin e pushimit nga puna dhe zëvendësimin e tij me një paralajmërim me shkrim.


Personi që shqyrtoi apelin, Bruno Krssak, argumentoi se mes dy kolegeve kishte pasur një konflikt të mëparshëm dhe se vendimi fillestar ishte marrë përmes një procedure me mangësi. Sipas tij, Dawson nuk kishte marrë paraprakisht të gjithë informacionin përkatës për seancën dhe disa prej provave ishin bazuar në dëshmi të tërthorta.


Brooks u njoftua se Dawson do të rikthehej në vendin e punës në janar 2025. Sipas gjykatës, nuk pati diskutime për masa mbrojtëse apo masa të posaçme sigurie për Brooks përpara rikthimit të koleges.


Lajmi për rikthimin e Dawson ndikoi rëndë te Brooks. Ajo u shpreh aq e shqetësuar sa u deklarua e paaftë për të punuar për shkak të stresit të lidhur me punën dhe qëndroi jashtë saj deri në shkurt.


Çështja përfundoi në gjykatën e punës, ku gjykatësja Paula Volkmer arriti në përfundimin se komentet e Dawson përbënin ngacmim seksual.


Gjykatësja kritikoi gjithashtu procesin e apelimit, duke vlerësuar se ai nuk kishte marrë mjaftueshëm parasysh seriozitetin e sjelljes së Dawson dhe ndikimin që ajo kishte pasur te Brooks.


Sipas Volkmer, gjatë trajtimit të çështjes kishte pasur një tendencë për të minimizuar natyrën seksuale të ngacmimit. Ajo vlerësoi se, nëse sjellja do të kishte ndodhur mes personave të gjinive të ndryshme, çështja mund të ishte trajtuar më seriozisht.


Në përfundim të procesit gjyqësor, Charlotte Brooks u akordua me 19,042 paund dëmshpërblim për pretendimet për ngacmim seksual dhe diskriminim të drejtpërdrejtë për shkak të seksit./ tpz.al

“KORÇA BOOM”


bottom of page