Ndodh edhe kjo/ Lëshohet gabimisht alarm për tërmet 9.9 ballë!
Miliona qytetarë në Japoni morën në telefonat e tyre një alarm emergjence për një tërmet me magnitudë 9.9, pasi Agjencia Meteorologjike e vendit (JMA) bëri një gabim në përllogaritjen e të dhënave sizmike.
Ngjarja ndodhi të premten, kur sistemi japonez i paralajmërimit regjistroi fillimisht një tërmet të fuqishëm pranë Ishujve Kurile. Autoritetet e korrigjuan njoftimin vetëm pak minuta më vonë, pasi konstatuan pasaktësi në përcaktimin e epiqendrës dhe magnitudës.
Sipas të dhënave të korrigjuara, tërmeti kishte magnitudë 6.9 dhe goditi zonën pranë Gadishullit Kamçatka, në territorin rus, pak pas mesditës. Lëkundjet e kishin origjinën në një thellësi prej rreth 160 kilometrash.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë shpjegoi se sistemi kishte përcaktuar gabimisht pozicionin e epiqendrës, duke e vendosur atë rreth 680 kilometra më larg Japonisë nga vendndodhja reale. Ky gabim ndikoi drejtpërdrejt në përllogaritjen e magnitudës, e cila fillimisht arriti në vlerën e pasaktë 9.9.
Aktivizimi i alarmit emergjent shkaktoi ndërprerje të përkohshme në transportin publik, megjithëse autoritetet nuk raportuan panik të përhapur mes qytetarëve.
Pas korrigjimit të të dhënave, përfaqësuesit e JMA kërkuan falje publike për shqetësimet që shkaktoi njoftimi i gabuar.
Zyrtari i agjencisë, Shinya Tsukada, pranoi problemin dhe shprehu ndjesë për pasojat që pati aktivizimi i sistemit të paralajmërimit.
Autoritetet japoneze e tërhoqën alarmin fillestar brenda pak minutash, ndërsa të dhënat përfundimtare konfirmuan magnitudën 6.9 të tërmetit pranë Kamçatkës.
“KORÇA BOOM”
















