top of page

U ankua për dhimbje në gjoks, pak minuta më vonë ndodhi tragjedia me ish-kampionin e botës

6 hours ago
1 min read

Ish-kampioni i botës në boks, argjentinasi Jorge Castro, është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, pasi pësoi një atak kardiak në një sallë bingoje pranë Buenos Aires-it. Ngjarja e rëndë ndodhi në praninë e vajzës së tij, Quimely, ndërsa përpjekjet për ta rikthyer në jetë nuk patën sukses.


Ish-boksieri u ndje keq papritur dhe fillimisht nisi të ankohej për dhimbje në gjoks.


Familjarët kërkuan menjëherë ndihmë, por, pavarësisht ndërhyrjes për reanimim, jeta e tij nuk u shpëtua.


Ka qenë vetë vajza e tij ajo që ka rrëfyer për mediat argjentinase momentet e fundit të të atit, duke treguar se gjithçka ndodhi brenda vetëm 15 minutash.


“Babai im vdiq nga shkaqe natyrore. Ai pati një atak kardiak. Fillimisht nisi t’i dhembte gjoksi dhe më pas nuk mundi ta përballonte më. Gjithçka ndodhi për vetëm 15 minuta”, u shpreh Quimely.


Ajo tregoi se pak para ngjarjes gjithçka dukej normale. Në një moment, i ati i kishte thënë se do të shkonte në tualet, por kur u kthye, nisi të ankohej për dhimbje në gjoks.


“Gjithçka ishte normale dhe papritur më tha: ‘Po shkoj pak në tualet’. Kur u kthye, më tha se i dhembte pak gjoksi. Unë i thashë se kjo ndodhte sepse pinte shumë duhan. Por ai më tha: ‘Më dhemb shumë, bijë’”, rrëfeu ajo.


Në momentet e fundit, Castro ishte në shoqërinë e vajzës dhe ish-partneres së tij.


Pavarësisht se ishin ndarë prej 15 vitesh, ata kishin ruajtur marrëdhënie të mira.


Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka tronditur familjarët dhe adhuruesit e boksit, ndërsa kujtimi i ish-kampionit argjentinas do të mbetet i lidhur me karrierën e tij në ring.

“KORÇA BOOM”


bottom of page