top of page

Pas Artan Gaçit, edhe Olta Xhaçka në SPAK, zbardhen detajet e çështjes

11 hours ago
1 min read

Ish-ministrja e Mbrojtjes dhe e Jashtme, Olta Xhaçka, është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në kuadër të një çështjeje ku po hetohet edhe bashkëshorti i saj, biznesmeni dhe ish-deputeti socialist Artan Gaçi.


Sipas informacionit të bërë publik, Xhaçkës i është komunikuar statusi i personit nën hetim për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Hetimet lidhen me transaksione dhe veprimtari biznesi të lidhura me kompanitë e bashkëshortit të saj.


Xhaçka është paraqitur në ambientet e SPAK pak minuta pasi nga godina doli Artan Gaçi, i cili po ashtu po hetohet në lidhje me të njëjtën çështje.


Në qendër të hetimeve është projekti turistik “Dreamades Luxury Suites”, i parashikuar të ndërtohet në Gjilekë të Himarës. Në vitin 2021, kompania “AG.TCC”, në pronësi të Gaçit, përfitoi statusin e investitorit strategjik për projektin me vlerë rreth 5.5 milionë euro, si dhe të drejtën e përdorimit të bregdetit për një periudhë 30-vjeçare.


Çështja lidhet me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 5.512 metrash katrorë në Gjilekë, për të cilën janë ngritur dyshime për përdorimin e dokumentacionit të falsifikuar.


Hetimet e SPAK kanë nisur pas një kallëzimi penal të bërë nga Fredi Beleri, ku përfshiheshin Artan Gaçi, Olta Xhaçka dhe ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro.


Procedimi synon të sqarojë rrethanat e përfitimit të pronës dhe të projektit turistik, si dhe përgjegjësitë e mundshme penale të personave të përfshirë.


Duhet theksuar se marrja nën hetim nuk përbën provë fajësie. Përgjegjësia penale e secilit person përcaktohet vetëm nga gjykata, në përfundim të procesit ligjor.

“KORÇA BOOM”


bottom of page