Ministria e Shëndetësisë: Dokumenti për terapinë hormonale është vetëm orientues
- May 29
- 1 min read
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, ka sqaruar detaje mbi udhëzuesin e ri për trajtimin hormonal, duke theksuar se bëhet fjalë për një dokument orientues klinik dhe jo për një protokoll përfundimtar terapeutik.
Ajo theksoi se qëllimi i dokumentit është orientimi i profesionistëve të shëndetësisë në procesin e rekomandimit të terapisë hormonale për individët që referohen për këtë shërbim.
Sipas saj, udhëzuesi nuk parashikon nisjen e trajtimit hormonal në moshën e fëmijërisë.
“Ky udhëzues është hartuar mbi bazën e praktikave dhe rekomandimeve ndërkombëtare, si edhe të vlerësimit të një ekipi multidisiplinar specialistësh”, u shpreh Tomini.
Zv.ministrja sqaroi gjithashtu se dokumenti i referohet vetëm personave të rritur dhe është në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke u bazuar në pëlqimin e informuar individual.
Sipas saj, dokumenti përmban vetëm rekomandime të përgjithshme dhe lloje të ndryshme të terapive hormonale, të mbështetura në praktikat klinike ndërkombëtare.
Në lidhje me çështjen e rimbursimit të barnave, Tomini bëri të ditur se udhëzuesi nuk përcakton dhe nuk trajton skema rimbursimi për medikamentet hormonale.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ka miratuar për herë të parë një protokoll zyrtar për trajtimin hormonal të personave transgjinorë në sistemin publik shëndetësor shqiptar.
“KORÇA BOOM”
















