“Mund të çojë deri në heqjen e veshkës”/ Mjekja ngre alarmin për hipertensionin: Është një vrasës i heshtur në Shqipëri
- 49 minutes ago
- 2 min read
Hipertensioni vijon të mbetet një nga problemet më shqetësuese shëndetësore në Shqipëri, ndërsa sipas të dhënave, thuajse 1 në 2 të rritur vuan nga tensioni i lartë i gjakut. Për këtë çështje foli doktoresha Marsida Duli gjatë një interviste televizive, ku ngriti alarmin për pasojat serioze që sjell mosmbajtja nën kontroll e kësaj sëmundjeje.
Sipas saj, kontrolli i rregullt mjekësor, ndjekja e protokolleve dhe mbajtja e tensionit në vlera normale janë thelbësore për të shmangur dëmtimet kronike të veshkave dhe komplikacionet e rënda që mund të çojnë deri në dializë apo edhe ndërhyrje kirurgjikale.
Doktoresha theksoi se hipertensioni është një nga shkaqet kryesore të dëmtimit kronik të veshkave dhe se rreth 20–30% e pacientëve që i nënshtrohen dializës kanë si shkak tensionin e lartë.
“Hipertensioni është një vrasës i heshtur. Edhe kur pacienti është në mjekim, luhatjet e tensionit mbi vlerat e lejuara mund të shkaktojnë dëmtime të vazhdueshme në organizëm dhe sidomos në veshka”, u shpreh ajo.
Sipas mjekes, situata bëhet edhe më e rrezikshme në rastet e hipertensionit malinj, një formë agresive e tensionit të lartë që nuk i përgjigjet trajtimeve të zakonshme.
“Në raste të caktuara, dëmi mund të jetë i menjëhershëm dhe pacienti mund të rrezikojë direkt dializën. Ka raste ekstreme kur rekomandohet edhe nefrektomia, pra heqja e veshkave, për të stabilizuar tensionin”, tha doktoresha.
Ajo shtoi se shpesh ekziston neglizhencë si nga vetë pacientët, ashtu edhe nga sistemi shëndetësor, pasi shumë persona nuk ndjekin diagnostikimin e plotë dhe trajtimin sipas protokolleve.
Sipas saj, një EKG apo vetëm një vizitë te kardiologu nuk mjafton për të përcaktuar shkakun e hipertensionit. Mjekja theksoi se pacientët duhet t’i nënshtrohen ekzaminimeve të plota për të identifikuar faktorët sekondarë që mund të shkaktojnë tensionin e lartë dhe për të shmangur komplikacionet afatgjata.
"KORÇA BOOM"
















