Murtaja e ruminantëve rikthen frikën, dyshime për rast të ri në Ersekë
- 15 hours ago
- 1 min read
Autoritetet veterinare kanë ngritur alarmin në juglindje të vendit pas dyshimeve për një vatër të re të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël në zonën e Ersekës.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshimet kanë lindur pas shfaqjes së simptomave të dyshimta te disa krerë bagëtish, çka ka detyruar shërbimet veterinare të ndërhyjnë menjëherë për verifikimin e situatës.
Mostrat biologjike janë dërguar për analiza laboratorike, ndërsa autoritetet janë në pritje të konfirmimit zyrtar për të përcaktuar nëse bëhet fjalë vërtet për një vatër të re të kësaj sëmundjeje infektive.
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël konsiderohet një sëmundje shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për fermerët.
Ndërkohë, në zonën ku janë konstatuar rastet e dyshuara janë shtuar kontrollet dhe monitorimi veterinar, ndërsa fermerëve u është kërkuar të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë te autoritetet përkatëse.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas daljes së përgjigjeve laboratorike dhe verifikimeve në terren.
“KORÇA BOOM”
















