Më mbajti të mbyllur dhe më kërcënonte”! Rrëfimi i rëndë i 34-vjeçares pas ngjarjes
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Roskovecin, ku një 52-vjeçar dyshohet se ka shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe ka shkuar në banesën e një 34-vjeçareje, ku më pas ka plagosur me drapër babain e saj.
34-vjeçarja Merita Gremaj ka rrëfyer në një intervistë për “Shqipëria Live” atë që pretendon se ka përjetuar gjatë 45 ditëve, duke bërë akuza të rënda ndaj 52-vjeçarit Bledar Bakaj.
Sipas saj, Bakaj e kishte joshur fillimisht me premtimin për një vend pune, duke i thënë se kishte lidhje me persona me pozita të larta. Ajo tregon se më pas situata mori një tjetër rrjedhë dhe se ka përjetuar dhunë dhe kërcënime.
Gremaj deklaroi gjithashtu se 52-vjeçari është daja i deputetes socialiste Zegjine Çaushi, ndërsa theksoi se kjo lidhje nuk kishte të bënte me premtimet që i ishin bërë për punësim.
“Jam shumë e stresuar. Isha e sëmurë me alergji. Një herë hiqej si doktor, ishte veshur ashtu. Më mori me makinë dhe më tha se do të më çonte për vizitë. Më pas situata ndryshoi”, rrëfeu 34-vjeçarja.
Ajo pretendon se është dërguar në një zonë të izoluar dhe atje është dhunuar seksualisht, ndërsa sipas saj, 52-vjeçari e ka kërcënuar se do ta vriste nëse do të tregonte çfarë kishte ndodhur.
“Një ditë më çoi në varreza dhe më tha: këtu e ke vendin tënd. I thashë para se të më vrasësh, më lër të takoj babin tim”, tregoi ajo.
34-vjeçarja pretendon se për 45 ditë është mbajtur nën kontroll dhe se ka jetuar në kushte të vështira, ndërsa tregon se ka tentuar të kërkojë ndihmë dhe të largohet.
Sipas rrëfimit të saj, ditën e 45-të ajo ka arritur të largohet duke kaluar nëpër ullinj dhe kanale. Ajo thotë se një djalë 14-vjeçar e ka ndihmuar në momentin kur po përpiqej të largohej.
“Unë kam vajtur në polici, jam ankuar. Kur u arratisa, vajta te babi im. Djali më tha që do të më ndihmonte, por kishte frikë se mos e vriste”, tha ajo.
Por sipas 34-vjeçares, edhe pas largimit nga vendi ku pretendon se mbahej, ajo nuk ka gjetur mbështetjen që kërkonte te familja.
Ajo tregon se ka shkuar te babai i saj dhe i ka kërkuar ndihmë, por ai nuk e ka lejuar të qëndrojë në shtëpi, nga frika se 52-vjeçari mund ta sulmonte.
“Vete te babi, i them: më vrit ti, mos të më vrasë ai. Babi nuk më pranoi në shtëpi, më mbylli derën. Kishte hall se e vriste ai. Tha: merri masat vetë, se unë nuk të ndihmoj dot”, rrëfeu ajo.
Ngjarja kulmoi një ditë më parë, kur 52-vjeçari dyshohet se shkoi në banesën e 34-vjeçares, duke shkelur urdhrin e mbrojtjes, dhe plagosi me drapër babain e saj.
Rasti është nën hetim nga autoritetet, ndërsa pretendimet e bëra nga 34-vjeçarja pritet të verifikohen në kuadër të procedurave ligjore.
“KORÇA BOOM”
















