Nafta dhe benzina me tarifë të re, sa do të paguajnë kompanitë për çdo litër
top of page

Nafta dhe benzina me tarifë të re, sa do të paguajnë kompanitë për çdo litër

  • 15 hours ago
  • 1 min read

Nafta dhe benzina do t’i nënshtrohen një skeme të re kontrolli dhe gjurmueshmërie, pas vendimit të qeverisë për vendosjen e rregullave të reja mbi monitorimin e lëndëve djegëse përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit.


Sipas vendimit të miratuar, kompanitë që tregtojnë karburante do të paguajnë një tarifë shënjimi prej 6.5 euro për 1 mijë litra, ose rreth 0.75 lekë për litër, përfshirë TVSH-në.


Tarifa e re do të aplikohet për subjektet që importojnë, prodhojnë, rafinojnë, magazinojnë, transportojnë, shpërndajnë apo tregtojnë produkte të shënjimit dhe që kanë detyrimin të përmbushin detyrimet fiskale për këto produkte.


Sistemi i ri synon të rrisë kontrollin mbi tregun e karburanteve, duke mundësuar gjurmimin e produkteve nga momenti i hyrjes në vend deri në shitjen përfundimtare te konsumatori.


Përmes këtij mekanizmi synohet lufta ndaj abuzimeve, shmangies fiskale dhe tregtimit të karburanteve jashtë standardeve ligjore.


Administrata Doganore do të ketë rolin kryesor në mbikëqyrjen dhe kontrollin e zbatimit të rregullave të reja. Për këtë qëllim do të përdoren laboratorë të lëvizshëm, analiza në terren dhe sisteme monitorimi që do të verifikojnë cilësinë dhe përputhshmërinë e karburanteve me kërkesat ligjore.


Megjithatë, tarifa e re ka ngritur pikëpyetje për ndikimin që mund të ketë në çmimin final të karburantit. Edhe pse detyrimi i drejtpërdrejtë bie mbi kompanitë e sektorit, ekziston mundësia që kjo kosto shtesë të reflektohet në çmimin e shitjes në pikat e furnizimit me karburant.


Me hyrjen në fuqi të skemës së re, tregu i karburanteve pritet të përballet me një fazë të re kontrolli, ndërsa autoritetet synojnë të garantojnë më shumë transparencë dhe siguri për konsumatorët.

“KORÇA BOOM”


bottom of page