top of page

Vendimi i papritur para kulmit të sezonit, qeveria...

  • 4 hours ago
  • 2 min read

Qeveria ka miratuar një vendim të ri që sjell pezullimin e një sërë punimesh në zonat turistike të vendit, me qëllim shmangien e zhurmave, pluhurit dhe ndikimeve negative gjatë periudhës së fluksit më të lartë të vizitorëve.


Vendimi i Këshillit të Ministrave do të hyjë në fuqi pas 15 ditësh dhe do të zbatohet deri më 15 shtator 2026, duke prekur një numër të konsiderueshëm aktivitetesh ndërtimore dhe industriale në zona me rëndësi turistike.


Sipas vendimit, gjatë kësaj periudhe do të pezullohen punimet në karriera, pikat e nxjerrjes, përpunimit dhe shfrytëzimit të inerteve, si dhe çdo aktivitet i lidhur me to.


Gjithashtu, do të ndalohen punimet e ndërtimit që nga faza e gërmimeve dhe hedhjes së themeleve deri në përfundimin e ngritjes së karabinasë së objekteve. Në listën e aktiviteteve të pezulluara përfshihen edhe punimet që shkaktojnë zhurmë, pluhur apo ndikime të tjera negative në mjedis.


Masa do të zbatohet në brezin bregdetar, qendrat historike, zonat e mbrojtura me funksion turistik, qendrat urbane turistike, si dhe në territore të tjera ku gjatë sezonit veror regjistrohet një numër i lartë turistësh.


Pavarësisht ndalimit, disa punime do të lejohen. Nga pezullimi përjashtohen rifiniturat e brendshme dhe punimet e vogla pas përfundimit të karabinasë, për sa kohë që nuk krijojnë zhurmë, pluhur apo shqetësime për mjedisin.


Gjithashtu do të lejohet ngritja dhe sistemimi i kantiereve, por vetëm brenda fashës orare 08:00–17:00 dhe duke respektuar rregullat në fuqi.


Për subjektet që disponojnë leje ndërtimi apo zhvillimi, periudha e pezullimit do të llogaritet si afat shtesë mbi kohëzgjatjen e lejes. Kjo do t’u japë mundësi zhvilluesve të kërkojnë shtyrjen e afateve për përfundimin e punimeve në përputhje me periudhën e ndalimit.


Zbatimi i këtij vendimi do të monitorohet nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.


Vendimi vjen në një kohë kur zonat turistike shqiptare përballen me numrin më të lartë të vizitorëve, ndërsa autoritetet synojnë të ruajnë qetësinë dhe standardet e sezonit veror duke kufizuar aktivitetet që mund të krijojnë shqetësime për pushuesit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page