Harta e re e bashkive, Mazniku tregon çfarë ndodh me qytetet që shkrihen
- 29 minutes ago
- 2 min read
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, ka mbrojtur propozimin për një ndarje të re territoriale të vendit, duke sjellë si shembull bashkimin e Bashkisë Elbasan me Cërrikun dhe Belshin.
Sipas Maznikut, ky model synon të krijojë njësi më funksionale, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e qyteteve dhe përfaqësimin e banorëve në zonat që do të përfshihen në bashkitë e reja.
Ai deklaroi se Elbasani konsiderohet si “pika natyrore e gravitetit” për këtë zonë, ndërsa theksoi se bashkimi i tre qyteteve nuk do të sjellë humbjen e shërbimeve për qytetarët.
“Ruajmë tre qytete: qytetin e Elbasanit, Cërrikun dhe Belshin. Secili prej këtyre qyteteve do të vazhdojë të ketë një nënkryetar përgjegjës për territorin përkatës dhe do të ketë përfaqësim proporcional në këshillin bashkiak të bashkisë së re”, u shpreh Mazniku.
Sipas tij, banorët e Cërrikut dhe Belshit do të vijojnë t’i marrin shërbimet në të njëjtat zyra ku i marrin edhe aktualisht, duke garantuar sipas tij vazhdimësinë e funksioneve administrative.
“Asnjë shërbim nuk largohet nga territori”, deklaroi Mazniku, duke shtuar se ndryshimet do të prekin kryesisht mënyrën e planifikimit dhe menaxhimit të burimeve.
Ai theksoi se përfitimet e bashkimit lidhen me fusha si planifikimi buxhetor, zhvillimi ekonomik, planifikimi urban dhe menaxhimi më i koordinuar i shërbimeve publike.
Mazniku solli si shembull edhe menaxhimin e infrastrukturës lokale, duke thënë se ndërhyrjet për kanalet kulluese dhe vaditëse do të vijojnë të kryhen nga strukturat lokale, ndërsa organizimi dhe planifikimi do të bëhen në një nivel më të centralizuar.
Propozimi për reformën e re administrativo-territoriale ka hapur debat në disa zona të vendit, veçanërisht në bashkitë që parashikohet të shkrihen apo të bashkohen me njësi më të mëdha. Qeveria argumenton se ndryshimet synojnë rritjen e eficiencës së administrimit, ndërsa kundërshtarët kërkojnë ruajtjen e autonomisë dhe identitetit lokal.
“KORÇA BOOM”













