top of page

Rama: Donald Trump do të vijë në Tiranë, samiti i NATO-s do të mbrohet me dronë "Made in Albania"

  • 1 day ago
  • 2 min read

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pritet të jetë i pranishëm në samitin e NATO-s që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Tiranë. Gjatë një deklarate publike, kreu i qeverisë zbuloi gjithashtu se siguria ajrore e këtij eventi të rëndësishëm ndërkombëtar do të garantohet nga dronë inteligjentë të prodhuar në Shqipëri.


Sipas Ramës, vendi po hyn në një fazë të re të zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, ndërsa premtoi se së shpejti do të prezantohen edhe produkte të tjera ushtarake të prodhuara në vend.

“Unë mezi pres që të fillojmë të tregojmë edhe disa gjëra të tjera që po fillojnë të prodhohen në Shqipëri. Mbrojtja e qiellit, në samitin e NATO-s, ku do të jetë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, do të bëhet me dronë superinteligjentë të prodhuar këtu në Shqipëri, ‘Made in Albania’”, deklaroi Rama.


Kryeministri përdori edhe një shprehje me tone humoristike për nivelin e sigurisë që shoqëron presidentin amerikan, duke thënë se ai “mbrohet nga qielli, nga toka, nga Marsi e nga Hëna”, për të theksuar rëndësinë e masave që do të merren gjatë samitit.

Përveç përdorimit të dronëve inteligjentë, Rama njoftoi se Shqipëria ka bërë tashmë porosinë për një sistem modern të mbrojtjes kundërajrore, i cili, sipas tij, është ndër më të avancuarit dhe pritet të vihet në dispozicion të vendit në një të ardhme të afërt.

“Jemi gati. Kemi bërë edhe porosinë për mbrojtjen më të sofistikuar kundërajrore, të cilën do ta ketë shumë shpejt edhe Shqipëria”, u shpreh ai.


Samiti i NATO-s në Tiranë pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, duke mbledhur drejtuesit e vendeve aleate dhe partnerëve të Aleancës. Autoritetet shqiptare kanë nisur përgatitjet për organizimin dhe garantimin e sigurisë së këtij eventi, i cili pritet të vendosë Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

“KORÇA BOOM”


bottom of page