top of page

Valë ndryshimesh në Policinë e Shtetit, ja emrat që lëvizin

  • 1 day ago
  • 1 min read

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një valë ndryshimesh në nivelet më të larta drejtuese, duke prekur disa prej departamenteve më të rëndësishme të institucionit. Lëvizjet vijnë në kuadër të përfundimit të mandateve të disa drejtuesve dhe riorganizimit të strukturave drejtuese.


Një prej ndryshimeve kryesore ka të bëjë me Departamentin e Policisë Kriminale, ku Neritan Nallbati ka përfunduar mandatin si drejtues i këtij departamenti. Pas largimit nga posti, ai është emëruar në Akademinë e Sigurisë, ku do të vijojë detyrën e tij në një rol tjetër.


Ndryshime janë bërë edhe në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Drejtuesi i deritanishëm, Pëllumb Seferi, është transferuar në Akademinë e Policisë, duke lënë vakant drejtimin e këtij departamenti.


Për të garantuar vijimësinë e punës, në krye të Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare është komanduar përkohësisht Artan Bajraktari, ndërsa drejtimin e Departamentit të Policisë Kriminale e ka marrë me komandim Arjan Muça.


Burime pranë Policisë së Shtetit bëjnë me dije se këto janë lëvizje të përkohshme dhe se në ditët në vijim pritet të përzgjidhen zyrtarisht drejtuesit e rinj të departamenteve, duke formalizuar kështu ristrukturimin e kupolës drejtuese të institucionit.


Ndryshimet konsiderohen pjesë e procesit të riorganizimit të Policisë së Shtetit dhe synojnë garantimin e vazhdimësisë së funksionimit të strukturave kryesore, deri në emërimin e drejtuesve të rinj me mandat të plotë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page