top of page

Hetimet ndaj Ballukut marrin tjetër drejtim, në fokus edhe tre lote të Unazës së Madhe

  • 4 hours ago
  • 1 min read

Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku i është komunikuar zyrtarisht vendimi për zgjatjen e afatit të hetimeve me tre muaj, si dhe zgjerimi i çështjes me akuza të reja.


Balluku ka qëndruar rreth 20 minuta në ambientet e SPAK, ndërsa pas përfundimit të procedurave është larguar pa dhënë deklarata për mediat. Pak më herët, në Prokurorinë e Posaçme ishte paraqitur edhe avokati i saj, Ardian Kalia.


Sipas burimeve, hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres tashmë janë zgjeruar përtej tenderit të tunelit të Llogarasë, një procedurë me vlerë rreth 190 milionë euro, për të cilën Balluku është marrë e pandehur.


SPAK po heton gjithashtu procedurat e prokurimit për tre lote të Unazës së Madhe të Tiranës, ku dyshohet se mund të jenë evidentuar shkelje gjatë zhvillimit të garave dhe përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë.


Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën për shtyrjen e afatit të hetimeve me tre muaj, duke i dhënë më shumë kohë organit të akuzës për kryerjen e veprimeve hetimore dhe administrimin e provave të tjera.


Ndërkohë, SPAK vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes, ndërsa pritet që në vijim të ketë zhvillime të tjera lidhur me hetimin.

“KORÇA BOOM”


bottom of page