top of page

Ndahet nga jeta profesori i Universitetit

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Është ndarë nga jeta profesori i Universitetit të Elbasanit, Albert Riska, një prej figurave të njohura të jetës akademike dhe shkencore të këtij universiteti.

Lajmi është bërë i ditur nga Universiteti i Elbasanit, i cili ka shprehur ngushëllimet për familjen, të afërmit, kolegët, studentët dhe të gjithë ata që e njohën profesorin.

Prof. Albert Riska kishte një karrierë të gjatë akademike pranë Universitetit të Elbasanit. Ai e nisi veprimtarinë pedagogjike në këtë institucion në vitin 1988, fillimisht si pedagog i jashtëm, ndërsa nga viti 1991 vijoi si pedagog i gjuhës.


Gjatë viteve të tij në universitet, Riska ligjëroi ndër të tjera Dialektologjinë dhe Historinë e Gjuhës Shqipe. Ai mbajti edhe disa funksione drejtuese, mes tyre atë të përgjegjësit të Departamentit të Gjuhës dhe të Fakultetit të Shkencave Humane.

Përveç veprimtarisë pedagogjike, prof. Riska u angazhua edhe në kërkime dhe botime shkencore në fushën e gjuhësisë. Ai ka publikuar artikuj dhe trajtesa mbi gjuhën shqipe, dialektologjinë, etimologjinë dhe çështje që lidhen me historinë e gjuhës.


Ndër veprat e tij spikat edhe libri “Shqipja dhe Krishterimi”, ku trajtohen lidhjet mes gjuhës shqipe, historisë dhe përhapjes së krishterimit në hapësirat ilire. Në punën e tij kërkimore ai është mbështetur edhe në materiale të mbledhura gjatë ekspeditave gjuhësore.

Prof. Albert Riska ka qenë gjithashtu pjesë e strukturave shkencore të Universitetit të Elbasanit, përfshirë bordin editorial të buletinit shkencor të universitetit.

Universiteti i Elbasanit e ka përcjellë me dhimbje lajmin për ndarjen e tij nga jeta, ndërsa kolegët dhe studentët kanë humbur një pedagog dhe studiues që për dekada i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës arsimit dhe gjuhës shqipe.


U prehtë në paqe dhe qoftë i paharruar kujtimi i tij!

“KORÇA BOOM”


bottom of page