top of page

Ndryshon tatimi mbi pagat, kush do të paguajë 32% dhe kush do të përfitojë lehtësim

2 minutes ago
2 min read

Paketa e re fiskale parashikon ndryshime në tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, duke vendosur një normë të re prej 32% për pagat bruto mbi 700 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, për punonjësit me paga nga 200 mijë deri në 700 mijë lekë parashikohet lehtësim i barrës tatimore.

Sipas propozimeve për ndryshimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, synohet rishikimi i sistemit progresiv të tatimit mbi pagat, përmes krijimit të një shkalle të tretë për të ardhurat më të larta.


Me skemën e propozuar, norma prej 32% do të zbatohet vetëm mbi pjesën e të ardhurave që tejkalon pragun e përcaktuar, dhe jo mbi të gjithë pagën.

Aktualisht, të ardhurat nga punësimi që kalojnë kufirin e fashës së parë tatohen me normën 23%, pa një shkallë të veçantë për pagat më të larta. Me ndryshimet e propozuara, sistemi do të ketë tri shkallë tatimore.


Si do të ndryshojnë fashat e tatimit?

Sipas paketës së propozuar, për pagat bruto deri në 300 mijë lekë në muaj do të zgjerohet kufiri i fashës së parë, ku zbatohet norma 13%. Aktualisht, norma 23% aplikohet mbi pjesën e pagës që tejkalon 200 mijë lekë në muaj.

Për pagat nga 300,001 deri në 700 mijë lekë në muaj, norma marxhinale do të mbetet 23%. Ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë, parashikohet aplikimi i normës së re prej 32% mbi pjesën që kalon këtë prag.


Pse po propozohen ndryshimet?

Në relacionin shoqërues, Ministria e Financave argumenton se shkalla e re synon të rrisë progresivitetin e sistemit tatimor, duke e lidhur barrën fiskale me nivelin e të ardhurave të individëve.

Ndërkohë, rritja e pragut të fashës së parë nga 200 mijë në 300 mijë lekë synon të ulë barrën tatimore për një pjesë të punonjësve me të ardhura të mesme dhe profesionistëve të kualifikuar.


Ndryshimet janë pjesë e paketës së re fiskale dhe mbeten propozime që duhet të miratohen përpara se të hyjnë në fuqi. Për rrjedhojë, skema përfundimtare dhe zbatimi i saj do të varen nga miratimi i ndryshimeve ligjore.

“KORÇA BOOM”


bottom of page