top of page

Ndërprerja e dritave në QSUT, mjekët lëvizën pacientët në kohë rekord

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 hours ago
  • 2 min read

Shefi i Shërbimit të Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Krenar Lilaj, doli sot në një komunikim për mediat për të sqaruar ndërprerjen e energjisë elektrike që ndodhi mbrëmjen e djeshme në repartin e Reanimacionit, si pasojë e një defekti të përgjithshëm në rrjetin elektrik të Tiranës.


Sipas doktor Lilajt, ndërprerja e energjisë ndodhi rreth orës 20:18. Duke qenë se rikthimi i energjisë nuk ishte i konfirmuar në atë moment, stafi mjekësor mori vendimin për të transportuar 10 pacientë, prej të cilëve 9 ndodheshin në respiracion të drejtuar, drejt repartit të Reanimacionit të Kardiologjisë, i cili ndodhet rreth 20 metra larg.


Procesi i transportimit nisi në orën 20:43 dhe përfundoi rreth orës 21:10. Pacientët u lëvizën me respiratorë portativë, pa asnjë ndërprerje të trajtimit dhe pa komplikacione shëndetësore. Pas rikthimit të energjisë elektrike dhe sigurimit të kushteve të nevojshme, pacientët u kthyen në njësinë e terapisë intensive rreth orës 22:00, në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt.


Shefi i Reanimacionit theksoi se të gjitha pajisjet mjekësore janë të pajisura me sisteme rezervë energjie, të cilat sigurojnë funksionimin normal për 5 deri në 6 orë. Ai garantoi se ndërprerja e energjisë nuk ka cenuar në asnjë moment trajtimin apo sigurinë e pacientëve.

Duke folur për vdekjen e të burgosurit Nihal Mërkuri, i cili ndërroi jetë në Reanimacionin e Kirurgjisë, doktor Lilaj sqaroi se gjendja e tij shëndetësore ishte shumë e rëndë që në momentin e shtrimit. Sipas tij, pacienti vuante nga cirrozë hepatike dhe kishte pësuar një hemorragji masive, për të cilën ishte trajtuar kirurgjikalisht. Ai ndërroi jetë në orën 04:13 dhe kjo ngjarje, theksoi Lilaj, nuk ka asnjë lidhje me ndërprerjen e energjisë elektrike.

Pacientët e tjerë që ndodheshin në Reanimacionin Kirurgjikal, sipas drejtuesit të shërbimit, vijuan trajtimin normalisht, pa vështirësi dhe pa komplikacione.

"KORCA BOOM"


bottom of page